Një kategori e re institucionesh do të mund të financojë bizneset dhe subjektet e tjera përmes kredive, duke krijuar një alternativë ndaj huadhënies tradicionale bankare. Qeveria ka propozuar një kuadër të ri ligjor që u mundëson fondeve të investimeve alternative të japin hua, pa pasur nevojë të licencohen veçmas si institucione financiare jobankare.
Ndryshimi parashikohet në projektligjin “Për administruesit e fondeve të investimeve alternative dhe fondet e investimeve alternative”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian për tregjet financiare.
Sipas projektligjit, fondet alternative do të mund të përdorin kapitalin e mbledhur nga investitorët për të financuar sipërmarrje përmes huave, krahas investimeve në instrumente financiare, pasuri të paluajtshme apo pjesëmarrjeve në kompani.
Elementi kryesor i ndryshimit është se administruesit e këtyre fondeve nuk do të kenë nevojë për licencë të veçantë si subjekte financiare jobankare, nëse veprimtaria e huadhënies është përfshirë në licencën e miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Në këtë mënyrë, projektligji krijon një kanal të ri financimi, ku fondet mund të konkurrojnë me burimet tradicionale të kreditimit, veçanërisht në financimin e bizneseve dhe projekteve të investimit.
Megjithatë, veprimtaria nuk do të jetë jashtë kontrollit të autoriteteve financiare. Projektligji përcakton se AMF do të jetë institucioni përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen, ndërsa Banka e Shqipërisë do të ketë rol në vlerësimin paraprak të aktivitetit kreditues.
Konkretisht, AMF duhet t’i përcjellë Bankës së Shqipërisë dokumentacionin për huadhënien brenda pesë ditëve pune. Banka qendrore do të ketë 60 ditë kohë për të vlerësuar politikat e kreditimit, aftësinë paguese të huamarrësve dhe administrimin e rrezikut, përpara se të japë opinionin e saj.
Vendimmarrja përfundimtare për licencën do t’i takojë AMF-së, e cila do të ketë gjithashtu kompetencën të kufizojë, pezullojë ose heqë autorizimin për huadhënie në rast shkeljesh.
Projektligji vendos edhe kufizime mbi përqendrimin e kredive. Sipas nenit 19, një fond nuk mund t’i japë një subjekti të vetëm financiar ose një fondi tjetër hua që tejkalojnë 20% të kapitalit të tij, me përjashtimet dhe afatet e përshtatjes të përcaktuara në ligj.
Ndërkohë, fondet huadhënëse do të lejohen të përdorin levë financiare deri në 175% të vlerës neto të aktiveve për fondet me pjesëmarrje të hapur dhe deri në 300% për ato me pjesëmarrje të mbyllur.
Për të kufizuar konfliktet e interesit, projektligji ndalon dhënien e huave për administruesit e fondeve, punonjësit e tyre, depozitarët dhe kategori të caktuara subjektesh të lidhura.
Një tjetër dispozitë parashikon se fondet që japin hua nuk mund të ndërtojnë strategji investimi me qëllimin e vetëm të transferimit të kredive te palët e treta. Në rastet kur kreditë transferohen, fondi duhet të ruajë të paktën 5% të vlerës së tyre, sipas kushteve dhe përjashtimeve ligjore.
Sa u përket kredive konsumatore, Banka e Shqipërisë do të ketë kompetencën të kufizojë ose ndalojë me rregullore dhënien dhe administrimin e tyre nga fondet huadhënëse.
Projektligji bën gjithashtu një dallim të rëndësishëm mes fondeve që u drejtohen investitorëve profesionistë dhe atyre ku investojnë qytetarët e zakonshëm. Fondet alternative për investitorë joprofesionistë nuk do të lejohen të japin hua drejtpërdrejt, me përjashtim të investimeve në obligacione, instrumente të tregut të parasë dhe depozita.
Sipas relacionit shoqërues, reforma synon zgjerimin e burimeve të financimit të ekonomisë, zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe krijimin e mekanizmave më të fortë të kontrollit të rrezikut financiar.
Zbatimi i saj mund të krijojë mundësi të reja financimi për sipërmarrjet, por ndikimi konkret në konkurrencën me bankat dhe në koston e kredive do të varet nga fondet që do të hyjnë në këtë treg dhe kushtet që ato do të ofrojnë. /skyweb.al
















