Avioni elektrik kinez CE-25A ka përfunduar me sukses fluturimin e parë testues me ekuipazh në bord, duke transportuar dy pilotë dhe një inxhinier testimi. Fluturimi u realizua më 14 nëntor në qytetin Binzhou, në provincën Shandong të Kinës lindore, dhe zgjati 16 minuta e 38 sekonda, duke përshkuar një distancë prej rreth 60 kilometrash.
Sipas Korporatës së Avionëve Tregtarë të Kinës (COMAC), fluturimi u zhvillua normalisht dhe të gjithë treguesit e performancës përmbushën pritshmëritë.
Avioni CE-25A është projektuar për transportin e deri në 19 pasagjerëve, kryesisht në distanca të shkurtra rajonale. Ai ka një peshë maksimale ngritjeje prej 10 tonësh, shpejtësi lundrimi deri në 300 kilometra në orë dhe autonomi fluturimi prej 400 kilometrash.
Modeli përdor një sistem shtytjeje tërësisht elektrik, me 10 ventilatorë elektrikë të shpërndarë përgjatë pjesës së sipërme të krahëve. Projekti synon të ofrojë një alternativë më pak ndotëse për transportin ajror në distanca të shkurtra.
Fluturimi me ekuipazh vjen pas testimeve autonome të zhvilluara gjatë këtij viti. Në shkurt, avioni realizoi fluturimin e parë pa pilot, ndërsa më pas përfundoi edhe 19 fluturime të tjera testuese.
Pavarësisht përfundimit me sukses të këtij testi, CE-25A nuk është ende gati për transport komercial. Avioni duhet të përfundojë procesin e certifikimit nga autoritetet përkatëse të aviacionit civil në Kinë përpara se të marrë lejen për të transportuar pasagjerë. /skyweb.al
















