Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian me çdo kusht dhe se nuk po kërkon alternativa të tjera, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, ku janë të pranishëm edhe liderët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë diskutimit, të moderuar nga Suzanne Lynch, drejtuese e zyrës së Bloomberg në Bruksel, u ngrit edhe çështja e standardeve të ndryshme që janë zbatuar për vendet që tashmë janë pjesë e Unionit dhe ato që presin anëtarësimin.
Lynch u shpreh se disa vende që janë anëtarësuar në BE nuk i kanë respektuar gjithmonë rregullat, ndërsa vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor përballen me kërkesa të vazhdueshme dhe standarde të larta.
Në përgjigjen e tij, Rama e krahasoi procesin e anëtarësimit me martesën, duke thënë se gjithçka duket më e bukur përpara se të ndodhë, por se kjo nuk e ndryshon dëshirën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
“Para se të martohesh, çdo gjë duket shumë mirë dhe kur hyn pastaj, mund të dalë ndonjë gjë. Megjithatë, martesa është më mirë sesa të rrish pa martuar dhe unë di diçka për këtë, meqë jam martuar disa herë”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se Shqipëria nuk kërkon alternativa ndaj anëtarësimit në BE dhe se synimi mbetet i pandryshuar.
“Duam të martohemi këtu, me Bashkimin Europian, me çdo kusht. Nuk shpëtoni dot prej nesh, na merrni brenda. Patjetër që nuk do të jemi të përsosur, por as të mërzitshëm si disa që keni brenda”, deklaroi Rama, duke shkaktuar edhe reagimin mbështetës të moderatores. /skyweb.al
















