Forcimi i vazhdueshëm i lekut kundrejt euros duhej të ishte një lajm i mirë për xhepat e konsumatorëve shqiptarë, veçanërisht për çmimet e ushqimeve, një pjesë e konsiderueshme e të cilave sigurohet nga importi.
Por ndërsa monedha europiane po zhvlerësohet dhe qeveria ka ndërmarrë nisma për të nxitur uljen e çmimeve, në treg po ndodh e kundërta: ushqimet po shtrenjtohen edhe më shumë.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë tetorit 2026, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 1.2% vetëm brenda një muaji, ndërsa krahasuar me tetorin e vitit të kaluar shtrenjtimi arriti në 4%.
Në të njëjtën kohë, inflacioni i përgjithshëm u përshpejtua nga 2.9% në shtator në 3.4% në tetor, niveli më i lartë që prej muajit janar 2024. Ushqimet ishin kontribuuesi kryesor në këtë rritje, me 1.36 pikë përqindjeje të inflacionit vjetor.
Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm po të shihet ecuria e kursit të këmbimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, më 13 nëntor euro këmbehej me 90.71 lekë, duke vazhduar zhvlerësimin e saj ndaj monedhës vendase.
Në një ekonomi si Shqipëria, ku një pjesë e rëndësishme e ushqimeve dhe produkteve të konsumit vjen nga jashtë, forcimi i lekut duhet të krijojë kushte për uljen e kostove të importit, të paktën për mallrat që blihen në euro.
Për të kuptuar peshën e importeve, mjafton t’u referohemi statistikave të tregtisë së jashtme.
Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 Shqipëria importoi rreth 162.2 miliardë lekë ushqime, pije dhe duhan, ndërsa eksportet e kësaj kategorie ishin vetëm 55.9 miliardë lekë.
Pra, vlera e importeve ishte pothuajse trefishi i eksporteve, duke dëshmuar rëndësinë e furnizimeve nga jashtë për tregun vendas.
Në këto kushte, një euro më e lirë u mundëson importuesve të paguajnë më pak lekë për të njëjtën faturë në monedhën europiane, nëse çmimi i furnizimit mbetet i pandryshuar.
Megjithatë, ky përfitim potencial nuk po shfaqet në ecurinë e përgjithshme të çmimeve ushqimore. Kjo ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si transmetohet ulja e kostove të importit përgjatë zinxhirit tregtar, nga importuesit te distributorët dhe në fund te supermarketet.
“Pasqyra e Çmimeve”, uljet e shpallura dhe realiteti i tregut
Një tjetër element që e bën më të fortë këtë kontrast është nisma e qeverisë për monitorimin dhe krahasimin e çmimeve.
Më 12 tetor 2026, kryeministri Edi Rama prezantoi platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, me synimin për të rritur transparencën në treg dhe për t’u krijuar konsumatorëve mundësi të blejnë më lirë.
Në prezantimin zyrtar, qeveria njoftoi krahasimin e çmimeve të 238 produkteve në 13 kategori, ndërsa nisma “KURSE” përfshinte 325 oferta me ulje mesatare prej 13.3%, që për produkte të caktuara arrinin deri në 40%.
Por të dhënat e INSTAT për tetorin tregojnë një realitet tjetër për tregun në tërësi. Pikërisht në muajin kur nisi funksionimi i këtyre mekanizmave, çmimet e ushqimeve u rritën me 1.2% krahasuar me shtatorin.
Natyrisht, platforma u prezantua në mesin e muajit dhe rezultatet e një muaji të vetëm nuk mjaftojnë për të vlerësuar përfundimisht efektivitetin e saj. Gjithashtu, publikimi i ofertave dhe krahasimi i çmimeve nuk janë të barasvlershme me vendosjen e çmimeve maksimale në treg.
Megjithatë, shifrat tregojnë se uljet e reklamuara për produkte të caktuara nuk janë përkthyer, të paktën gjatë tetorit, në një ulje të përgjithshme të shportës ushqimore.
Kjo ngre një pyetje thelbësore për efektivitetin e politikave të ndërmarra: A janë ofertat e përkohshme dhe transparenca e çmimeve të mjaftueshme për të frenuar shtrenjtimin, apo nevojiten ndërhyrje të tjera që nxisin konkurrencën dhe ulin kostot reale të furnizimit?
Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm po të kemi parasysh se ushqimet dhe pijet joalkoolike zënë 34.1% të shportës së përdorur nga INSTAT për matjen e inflacionit.
Kjo do të thotë se çdo rritje e çmimeve ushqimore ka ndikim të konsiderueshëm në koston e jetesës, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta. /skyweb.al
















