Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, kanë zbuluar qarkun nervor që kontrollon çlirimin e hormonit të rritjes gjatë gjumit. Studimi, i publikuar në revistën prestigjioze shkencore “Cell”, tregon se marrëdhënia mes gjumit dhe këtij hormoni është e dyanshme: gjumi nxit sekretimin e tij, ndërsa hormoni i rritjes ndikon në rregullimin e momentit të zgjimit.
Prej kohësh, shkencëtarët e dinë se një pjesë e konsiderueshme e hormonit të rritjes çlirohet gjatë gjumit. Përveç rolit të tij thelbësor në zhvillimin fizik të fëmijëve dhe adoleshentëve, ky hormon vazhdon të jetë i rëndësishëm edhe në moshën e rritur, duke ndihmuar në ruajtjen e masës muskulore, shëndetin e kockave, metabolizmin e yndyrave dhe kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak.
Megjithatë, deri më tani nuk ishte kuptuar plotësisht se si truri kontrollon sekretimin e këtij hormoni gjatë fazave të ndryshme të gjumit dhe si lidhen aktiviteti i qelizave nervore, nivelet hormonale dhe momenti i zgjimit. Për të zbardhur këtë mekanizëm, studiuesit përdorën një metodë të ndryshme nga kërkimet e mëparshme, duke regjistruar drejtpërdrejt aktivitetin e qelizave nervore në trurin e minjve, në vend që të mbështeteshin vetëm te matjet e hormoneve në gjak.
Ekipi kërkimor u përqendrua te hipotalamusi, një zonë e vogël, por jetike e trurit, e cila luan rol në kontrollin e urisë, temperaturës së trupit, prodhimit të hormoneve dhe ciklit gjumë-zgjim. Në këtë rajon ndodhen dy grupe qelizash nervore që ndikojnë drejtpërdrejt në sekretimin e hormonit të rritjes. Njëri prodhon hormonin çlirues të hormonit të rritjes (GHRH), i cili stimulon sekretimin e tij, ndërsa tjetri prodhon somatostatinën, një substancë që ka efekt frenues.
Studiuesit zbuluan se aktiviteti i këtyre qelizave ndryshon në varësi të fazës së gjumit. Gjatë gjumit jo-REM, i cili përfshin pjesën më të madhe të gjumit të thellë dhe rikuperues, aktiviteti i qelizave që prodhojnë somatostatinë bie, duke dobësuar efektin e tyre frenues. Në të njëjtën kohë, qelizat e lidhura me GHRH bëhen disi më aktive, duke krijuar kushte të favorshme për rritjen e sekretimit të hormonit të rritjes.
Ndërsa gjatë gjumit REM, faza që zakonisht lidhet me ëndrrat më të gjalla, aktiviteti i të dy grupeve të qelizave rritet. Pavarësisht roleve të tyre të kundërta, koordinimi i aktivitetit nervor në këtë fazë kontribuon në rritjen e mëtejshme të sekretimit të hormonit të rritjes.
Sipas autorëve të studimit, truri përdor mekanizma të ndryshëm nervorë gjatë fazave të ndryshme të gjumit për të kontrolluar çlirimin e këtij hormoni jetik. Gjetjet tregojnë gjithashtu se lidhja mes gjumit dhe hormonit të rritjes nuk funksionon vetëm në një drejtim, pasi hormoni ndihmon edhe në rregullimin e ciklit gjumë-zgjim dhe momentit kur organizmi zgjohet.
Xinlu Ding, studiues postdoktoral në neuroshkencë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, dhe autori kryesor i studimit, thekson se kjo qasje u mundësoi shkencëtarëve të kuptonin më drejtpërdrejt aktivitetin e qelizave nervore dhe mekanizmat që lidhin gjumin me sekretimin hormonal. Zbulimi ofron një perspektivë të re mbi mënyrën se si truri koordinon proceset biologjike gjatë natës dhe mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të marrëdhënies mes gjumit, hormoneve dhe funksionimit të organizmit. /skyweb.al















