Një studim shkencor që përfshiu rreth 2.8 milionë persona ka zbuluar se pirja e duhanit lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës, sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës vaskulare. Sipas rezultateve, rreziku rritet në varësi të numrit të cigareve të konsumuara çdo ditë.
Studimi, i udhëhequr nga studiues të Universitetit Curtin në Australi dhe i publikuar në revistën shkencore eClinicalMedicine, tregon se duhanpirësit kanë një rrezik 31% më të lartë për të zhvilluar demencë, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Rreziku rezulton 40% më i lartë për sëmundjen e Alzheimerit dhe 52% më i lartë për demencën vaskulare.
Studiuesit vunë re gjithashtu një lidhje mes numrit të cigareve të konsumuara në ditë dhe mundësisë për të zhvilluar demencë. Personat që pinë 10 cigare në ditë kanë një rrezik 16% më të lartë, ndërsa tek ata që konsumojnë 20 cigare në ditë, rreziku arrin në 34%, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Autori kryesor i studimit, Mario Siervo, tha se këto gjetje tregojnë nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje ndikimit të duhanit në shëndetin e trurit, krahas rreziqeve të njohura për zemrën, mushkëritë dhe zhvillimin e kancerit.
Ai theksoi se lidhja mes duhanpirjes dhe demencës bëhet më e fortë me rritjen e numrit të cigareve të konsumuara.
Studimi tregoi gjithashtu se personat që e kishin lënë duhanin nuk paraqisnin një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës krahasuar me ata që nuk kishin pirë kurrë duhan, ndërsa rreziku i tyre ishte më i ulët se ai i personave që vazhdonin të pinin duhan.
Megjithatë, studiuesit sqaruan se rezultatet nuk provojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes duhanpirjes dhe demencës, por i shtohen provave shkencore që sugjerojnë se lënia e duhanit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes.
Bashkautorja e studimit, Blossom Stephan, bëri thirrje që shëndeti i trurit të përfshihet në diskutimet mbi rreziqet e duhanpirjes dhe përfitimet shëndetësore që sjell lënia e saj.
Studiuesit theksuan gjithashtu nevojën për zgjerimin e fushatave kundër duhanit, në mënyrë që ato të përfshijnë paralajmërime për ndikimin e tij në funksionimin e trurit dhe aftësitë njohëse, krahas rreziqeve të njohura për zemrën dhe mushkëritë.
Në këtë kuadër, ata rekomanduan që paralajmërimet për shëndetin e trurit të përfshihen në paketat e cigareve dhe në programet për lënien e duhanit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat shëndetësore të konsumit të duhanit.
Studiuesit kërkuan më shumë studime për të përcaktuar nëse mosha në të cilën një person e lë duhanin dhe kohëzgjatja e periudhës së abstinencës ndikojnë në nivelin e rrezikut për zhvillimin e demencës. /skyweb.al
















