Një studim i ri shkencor sugjeron se mbrojtja e trurit nga sëmundje si Alzheimeri mund të varet edhe nga procese që ndodhin jashtë tij, veçanërisht në mëlçi. Zbulimi vë në një këndvështrim të ri rolin e barrierës gjak-tru, e cila deri më tani është konsideruar kryesisht si një strukturë mbrojtëse që pengon depërtimin e substancave të dëmshme në tru.
Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore “Cell”, kjo barrierë ka edhe një funksion tjetër: përzgjedh proteina të caktuara nga gjaku dhe i përcjell ato drejt qelizave specifike të trurit, ku ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve nervore.
Ekipi i studiuesve nga Instituti Gladstone në San Francisko, i udhëhequr nga Andrew Yang, shqyrtoi 861 proteina të pranishme në gjakun e minjve. Nga analiza rezultoi se 92 prej tyre mund të kalonin barrierën gjak-tru. Ajo që tërhoqi vëmendjen e studiuesve ishte fakti se proteinat nuk shpërndaheshin në mënyrë të rastësishme, por orientoheshin drejt grupeve të caktuara të qelizave nervore.
Një rol të veçantë në këtë proces rezulton të ketë proteina APOA1, e prodhuar kryesisht nga mëlçia. Ajo ndihmon në ruajtjen e lidhjeve mes neuroneve dhe mbështet komunikimin e tyre. Sipas studiuesve, kjo proteinë mund të udhëtojë nga mëlçia përmes qarkullimit të gjakut, të kalojë barrierën mbrojtëse dhe të arrijë në tru.
Për të kuptuar rëndësinë e saj, studiuesit vëzhguan minj të prekur nga një formë e Alzheimerit. Kur ndërhynë në mekanizmin që mundësonte transportin e APOA1 drejt trurit, ata konstatuan dobësim të lidhjeve mes qelizave nervore dhe ndryshime në sjelljen e kafshëve.
Ndërkohë, minjtë e modifikuar gjenetikisht për të prodhuar sasi më të larta të kësaj proteine në mëlçi shfaqën më pak shenja të sëmundjes.
Gjetjet ngrenë një hipotezë të re për mënyrën se si zhvillohet Alzheimeri. Sipas saj, proceset që ndikojnë në shëndetin e trurit nuk kufizohen vetëm brenda këtij organi, por mund të varen edhe nga aftësia e organeve të tjera për të prodhuar dhe furnizuar trurin me proteina mbrojtëse.
Nëse ky mekanizëm konfirmohet edhe te njerëzit, ai mund të hapë rrugë për qasje të reja terapeutike, ku në fokus nuk do të jetë vetëm truri, por edhe organe si mëlçia.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe bazohen në eksperimente te minjtë. Përpara se të flitet për një trajtim të mundshëm të Alzheimerit, nevojiten studime të tjera për të vërtetuar nëse i njëjti mekanizëm funksionon edhe në organizmin e njeriut. /skyweb.al















