Një nga zonat më të mëdha të ndotjes plastike në botë, e njohur si “Great Pacific Garbage Patch” ose “Ishulli i Madh i Plastikës”, në Oqeanin Paqësor, po shkakton një tjetër shqetësim mjedisor. Përveç ndotjes së ujërave, grumbullimi i mikroplastikave po ndikon edhe në ngjyrën e oqeanit, duke i dhënë atij një nuancë më të theksuar ciani, mes blusë dhe jeshiles.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Communications Earth & Environment”, përqendrimi i lartë i mikroplastikave ndryshon mënyrën se si drita depërton dhe reflektohet në ujë, duke ndikuar në ngjyrën e tij.
“Ishulli i Plastikës” nuk është një masë e madhe mbetjesh që qëndron mbi sipërfaqen e detit, por një zonë e gjerë oqeanike ku përqendrimi i mbetjeve plastike është veçanërisht i lartë.
Sipas vlerësimeve të organizatës jofitimprurëse “The Ocean Cleanup”, kjo hapësirë shtrihet në një sipërfaqe rreth tre herë më të madhe se Franca dhe përmban afërsisht 100 mijë tonë materiale plastike.
Mikroplastikat përbëjnë rreth 8% të vëllimit të përgjithshëm të ndotjes në këtë zonë. Studiuesit nga Universiteti i Bergenit, në Norvegji, zbuluan se një përqendrim prej vetëm 5 miligramësh mikroplastikë për metër kub ujë është i mjaftueshëm për të shkaktuar ndryshime të dallueshme në ngjyrën e oqeanit.
Për të konfirmuar gjetjet, shkencëtarët analizuan edhe imazhet satelitore të zonës. Rezultatet treguan se ujërat pranë grumbullimit të plastikës kanë një nuancë më të theksuar ciani krahasuar me zonat përreth, ku ndotja është më e ulët.
Studiuesit shqyrtuan gjithashtu nëse ndryshimi i ngjyrës mund të lidhej me faktorë të tjerë natyrorë, siç është pakësimi i fitoplanktonit për shkak të fenomenit klimatik El Niño. Megjithatë, pas 1 000 simulimeve, mikroplastikat rezultuan faktori kryesor që shpjegonte këtë ndryshim, ndërsa ndikimi i fitoplanktonit u evidentua vetëm në 3% të skenarëve të analizuar.
Gjetjet e studimit shtojnë shqetësimet për pasojat e ndotjes plastike, duke treguar se ndikimi i saj në oqeane mund të jetë më i gjerë nga sa është menduar deri më tani dhe të shtrihet edhe në vetitë optike të ujit, me pasoja të mundshme për ekosistemet detare. /skyweb.al
















