Blegtorët shqiptarë kanë reaguar ndaj kërkesave për shtimin e kontrolleve dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj fermave, pas shqetësimeve të ngritura nga industria përpunuese për praninë e aflatoksinës në qumësht.
Përmes një deklarate publike, përfaqësuesit e blegtorëve kundërshtojnë përpjekjet për t’ua kaluar të gjithë përgjegjësinë fermerëve, duke argumentuar se problemi duhet kërkuar fillimisht te cilësia e ushqimit të kafshëve, veçanërisht te misri që importohet ose prodhohet në vend.
Reagimi vjen pasi Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit ngriti alarmin për fatin e sasive të qumështit që refuzohen nga fabrikat për shkak të tejkalimit të normave të aflatoksinës, duke kërkuar gjurmimin e tyre për të parandaluar rikthimin në treg.
Sipas blegtorëve, debati po përqendrohet te hallka më e dobët e zinxhirit, ndërsa përgjegjësitë e institucioneve që duhet të kontrollojnë ushqimin e kafshëve po mbeten në plan të dytë.
“Kur nuk i biem dot gomarit, i biem samarit!”, thuhet në reagim, ku kërkohet që fermerët të mos bëhen përgjegjës për dështimet e kontrolleve shtetërore dhe mangësitë e sistemit të importit.
Blegtorët theksojnë se aflatoksina në qumësht lidhet kryesisht me konsumimin nga kafshët të ushqimeve të kontaminuara, veçanërisht misrit që përmban aflatoksinë B1.
Ata argumentojnë se fermeri e blen ushqimin në tregun shqiptar dhe, përpara se të penalizohet për qumështin e prodhuar, duhet të verifikohet se si ky produkt ka hyrë në treg dhe nëse ka kaluar kontrollet përkatëse.

“Nuk mund të lejohet importimi i produkteve të pasigurta dhe më pas e gjithë barra e përgjegjësisë t’i kalojë fermerit shqiptar, i cili thjesht e përdor atë misër për të ushqyer kafshët”, theksohet në deklaratë.
Problemet me misrin e importuar janë pranuar edhe nga autoritetet. Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, deklaroi më 10 nëntor se gjatë vitit 2026 janë bllokuar 105.6 tonë misër për ushqim kafshësh që nuk përmbushte standardet, nga të cilat 51.3 tonë janë asgjësuar.
Sula bëri të ditur gjithashtu se janë shkarkuar nëntë inspektorë në pikën kufitare të Hanit të Hotit, pas problematikave të konstatuara me importin e misrit të kontaminuar nga Serbia.
Për blegtorët, këto problematika tregojnë nevojën për të ndërhyrë në origjinën e kontaminimit, në vend që masat të përqendrohen vetëm te fermat prodhuese të qumështit.
Ata ngrenë shqetësime edhe për prodhimin vendas të misrit, i cili realizohet në parcela të vogla dhe shpesh grumbullohet në magazina ku përzihen sasi nga prodhues të ndryshëm, duke vështirësuar gjurmueshmërinë.
Në këtë situatë, përfaqësuesit e sektorit kërkojnë hartimin e një strategjie kombëtare për industrinë e qumështit, me përfshirjen e fermerëve, përpunuesve dhe specialistëve.
Ndër propozimet kryesore është krijimi i një laboratori kombëtar të specializuar për analizimin e qumështit dhe ushqimit të kafshëve, si dhe kontrolli rigoroz i çdo ngarkese misri të importuar për praninë e aflatoksinës.
Blegtorët kërkojnë gjithashtu ndryshimin e skemave të subvencioneve, me përparësi për fermat me mbi 10 krerë bagëti dhe mbi 10 hektarë tokë, rritjen e mbështetjes direkte për prodhuesit, naftë pa akcizë dhe të drejtën që fermerët të faturojnë vetë produktet që shesin.
Një tjetër kundërshtim lidhet me penalizimin e menjëhershëm të fermave dhe ndërprerjen e grumbullimit të qumështit pa kryer analiza të besueshme dhe pa identifikuar burimin e kontaminimit.
Megjithatë, sipas legjislacionit të sigurisë ushqimore, qumështi që rezulton me aflatoksinë M1 mbi kufirin e lejuar prej 0.05 mikrogramësh për kilogram nuk mund të hidhet në treg apo të përdoret për përpunim. Refuzimi i tij nga fabrikat është detyrim për mbrojtjen e konsumatorëve.
Në deklaratë, blegtorët bëjnë të ditur edhe rezultatet e disa kontrolleve të kryera prej tyre.
Sipas tyre, në laboratorin e shoqatës janë analizuar mostra qumështi nga tetë ferma prodhuese dhe të gjitha kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar të aflatoksinës.
Megjithatë, këto janë rezultate të raportuara nga vetë shoqata dhe nuk përfaqësojnë gjendjen e të gjithë sektorit blegtoral shqiptar.
Blegtorët kërkojnë që rastet e kontaminimit të trajtohen individualisht, mbi bazën e analizave dhe gjurmimit të burimit, pa dëmtuar reputacionin e prodhuesve që respektojnë standardet.
“Mos e bëni fermerin shqiptar përgjegjës për dështimet e kontrollit shtetëror, për mangësitë e sistemit të importit dhe për mungesën e një politike të mirëfilltë bujqësore”, thuhet në reagim.
Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se penalizimet e përgjithshme dhe refuzimi i prodhimit, pa një mekanizëm të qartë verifikimi, rrezikojnë të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të fermave dhe të shtojnë vështirësitë e prodhimit vendas.
Ata theksojnë se fermerët, industria përpunuese dhe institucionet shtetërore duhet të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë ushqimore, në vend që përgjegjësia t’i transferohet vetëm njërës palë.
“Fermerët duhet të ndihmohen, jo të sulmohen”, përfundon deklarata. /skyweb.al
















