Sulmet kibernetike që së fundmi kanë goditur sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarkete mund të përhapen edhe në pajisjet elektroshtëpiake dhe routerët e internetit në banesa. Paralajmërimi vjen nga drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), Juhan Lepassaar.
Në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, Lepassaar theksoi se kërcënimet në hapësirën digjitale po bëhen gjithnjë e më të mëdha, ndaj Evropa duhet të rrisë investimet për mbrojtjen e sistemeve dhe infrastrukturës teknologjike.
Duke iu referuar sulmit ndaj pajisjeve ngrirëse, për të cilin Franca ka ngritur dyshime se pas tij qëndron Irani, kreu i ENISA-s nuk pranoi të komentojë këto pretendime.
Megjithatë, ai nënvizoi se është e njohur që aktorë kibernetikë të lidhur me shtete si Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë përfshirë Evropën në objektivat e tyre.
Sipas Lepassaar, rreziku nuk kufizohet më vetëm te institucionet apo infrastruktura kritike, por mund të prekë gjithnjë e më shumë edhe pajisjet e përditshme që përdoren nga qytetarët në shtëpitë e tyre.
Ai bëri thirrje për më shumë angazhim dhe investime në sigurinë kibernetike, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së Evropës përballë kërcënimeve të reja digjitale. /skyweb.al
















