Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një situatë të pazakontë me mbledhjen e taksave në Bashkinë Pogradec, ku mijëra familje dhe qindra biznese rezultojnë debitorë ndaj pushtetit vendor, ndërsa administrata e drejtuar nga kryebashkiaku Ilir Xhakolli nuk ka arritur të arkëtojë detyrime që kapin vlerën e qindra milionë lekëve.
Sipas raportit përfundimtar të auditimit, të KLSH, konsultuar nga skyweb.al, deri në fund të vitit 2025 rezultonin 5.135 familje dhe 504 biznese që nuk kishin shlyer plotësisht taksat dhe tarifat vendore, duke krijuar një stok detyrimesh prej 207.477.511 lekësh.
Nga kjo shumë, familjet e Pogradecit rezultojnë debitore me 122.5 milionë lekë, ndërsa bizneset e mëdha dhe të vogla me rreth 85 milionë lekë. Vetëm gjatë vitit 2025, detyrimet e reja të papaguara nga këto dy kategori arritën në 68.5 milionë lekë.
Por problemi nuk përfundon këtu.
KLSH ka konstatuar se 458 persona të tjerë nuk kanë shlyer plotësisht taksën e ndikimit në infrastrukturë për objektet e legalizuara, duke krijuar detyrime prej 50.8 milionë lekësh, nga të cilat 34.6 milionë i përkasin vitit 2025.
Një tjetër kategori debitorësh përfshin 54 subjekte që kanë marrë në përdorim toka bujqësore apo dhe shfrytëzimin e aseteve nga HEC-et. Këto subjekte rezultojnë me 33.8 milionë lekë detyrime të papaguara.
Në total, Bashkia Pogradec kishte 292.156.538 lekë detyrime të pambledhura, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 u krijuan 116.4 milionë lekë detyrime të reja, të cilat KLSH i konsideron të ardhura të munguara për buxhetin vendor.
Audituesit kanë evidentuar mangësi në ndjekjen e detyrimeve dhe kanë rekomanduar marrjen e masave ligjore për arkëtimin e tyre.
Situata bëhet edhe më problematike për faktin se Bashkia Pogradec nuk ka realizuar një pjesë të konsiderueshme të investimeve të planifikuara.
Nga 272.2 milionë lekë investime të parashikuara për vitin 2025, janë realizuar vetëm 182.7 milionë lekë, ose 67% e planit. Rreth 89.5 milionë lekë investime kanë mbetur të parealizuara.
Në total, bashkia ka realizuar vetëm 80% të shpenzimeve të planifikuara, me një diferencë prej 359.4 milionë lekësh, ndërsa në fund të vitit rezultonte me rreth 204 milionë lekë fatura të palikuiduara dhe detyrime të tjera, përfshirë vendime gjyqësore.
Batërdi me tenderët, shpallen fitues edhe kompani që nuk plotësojnë kriteret
Përtej problemeve me arkëtimin e taksave dhe realizimin e buxhetit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh në procedurat e prokurimit publik.
Nga 19 tendera të audituar, në nëntë prej tyre janë konstatuar kritere kualifikimi të paqarta, të ekzagjeruara ose të paargumentuara teknikisht dhe ligjërisht.
Sipas KLSH-së, Njësia e Prokurimit është mjaftuar me citimin e dispozitave ligjore, pa argumentuar përse kërkesat e vendosura ishin të nevojshme dhe proporcionale me natyrën dhe vlerën e kontratave.
Akoma më problematik është konstatimi se në dy tendera, për rehabilitimin e lumit të Çërravës dhe përfundimin e punimeve në lumin e Buçimasit, janë shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin të gjitha kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Në shtatë procedura janë tejkaluar afatet ligjore të vlerësimit të ofertave, ndërsa në katër raste anëtarët e komisioneve përkatëse nuk kishin plotësuar deklaratat për konfliktin e interesit.
KLSH ka konstatuar gjithashtu se në shtatë procedura projekt-preventivat e investimeve ishin hartuar nga grupe pune ku jo të gjithë specialistët zotëronin licencat profesionale të kërkuara.
Një tjetër shkelje lidhet me prokurimet për uniformat e Policisë Bashkiake dhe veshjet e zjarrfikësve, ku sipas audituesve është kryer copëzim i fondit, duke shmangur procedurat standarde të tenderimit.
Punime të paguara por të pakryera, probleme edhe me ndërtimet pa leje
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar edhe nëntë kontrata investimesh publike ku volumet e punimeve të përfshira në situacionet e pagesave nuk përputheshin me ato të realizuara faktikisht.
Dëmi ekonomik i përllogaritur arrin në 2.2 milionë lekë pa TVSH dhe lidhet me ndërhyrje në shkolla, rrugë, ujësjellës dhe infrastrukturën ujitëse.
Problemet shtrihen edhe te kontrolli i territorit. Nga 28 vendime prishjeje për ndërtime të paligjshme, vetëm shtatë ishin ekzekutuar, ndërsa në të paktën 20 raste IMTV nuk kishte paraqitur dokumentacion që të provonte referimin penal të shkeljeve të evidentuara.
Për periudhën 2023–2025, Inspektorati Vendor kishte vendosur 40 gjoba me vlerë 15.6 milionë lekë, por kishte arkëtuar vetëm 1.18 milionë lekë, ose 7.6% të shumës së përgjithshme.
KLSH ka konstatuar gjithashtu raste të përllogaritjes së gabuar të gjobave dhe mosaplikim të penaliteteve shtesë për ndërtime pa leje në zona me përparësi zhvillimin e turizmit.
Në përfundim të auditimit për periudhën 2023–2025, KLSH ka evidentuar 43 gjetje dhe ka dhënë 48 rekomandime, duke lëshuar opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe përputhshmërinë me legjislacionin.
Për kryebashkiakun Ilir Xhakolli, raporti ngre pyetje serioze mbi funksionimin e administratës vendore, kontrollin e territorit, menaxhimin e tenderave dhe aftësinë e bashkisë për të arkëtuar të ardhurat që i takojnë.
Ndërsa mijëra familje dhe qindra biznese rezultojnë me detyrime të papaguara, bashkia vijon të ketë investime të parealizuara, fatura të palikuiduara dhe probleme të dokumentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në përdorimin e fondeve publike. /skyweb.al
LEXO EDHE:
Bashkia Fushë-Arrëz ka 302 milionë lekë pa arkëtuar, KLSH zbulon dështimin në mbledhjen e borxheve
KLSH “nxin” Bashkinë Korçë: Nuk realizoi as gjysmën e investimeve, kaos me taksat dhe pronat
Raporti i KLSH: Bashkia Përmet mori paratë nga qeveria dhe nuk bëri investime
“Gropë” 2 mln euro në Bashkinë Dibër, KLSH kap probleme të mëdha me menaxhimin e parave















