Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh dhe problemesh në administrimin e Bashkisë Gjirokastër, të drejtuar nga Flamur Golemi, duke nisur nga mijëra prona publike pa regjistrim në Kadastër, te tenderat me kritere të pajustifikuara, punimet e paguara por të pakryera dhe dhjetëra milionë lekë taksa e detyrime të pambledhura.
Në raportin përfundimtar të auditimit për vitin 2025, të konsultuar nga skyweb.al, KLSH ka evidentuar 37 gjetje dhe ka dhënë 40 rekomandime për përmirësimin e administrimit të bashkisë.
Një prej konstatimeve më të rënda lidhet me pronat publike, për të cilat administrata e Golemit nuk disponon dokumentacion të plotë pronësie dhe informacion mbi gjendjen e tyre reale në terren.
Sipas raportit, në listat e pasurive të Bashkisë Gjirokastër dhe njësive administrative rezultojnë 3,355 prona, ndërsa tabela e auditimit nuk evidenton asnjë prej tyre të regjistruar në Kadastër.
KLSH konstaton se bashkia nuk ka një regjistër të integruar të pasurive të paluajtshme dhe nuk disponon informacion të plotë se sa prej këtyre pronave janë të zëna, sa janë funksionale apo sa nuk ekzistojnë më në terren.
Për administrimin e kësaj pasurie të konsiderueshme nuk është krijuar as një strukturë e posaçme, ndërsa detyrat e inventarizimit dhe regjistrimit kryhen nga një specialist i vetëm.
Problemet shtrihen edhe te fondi pyjor dhe kullosor, ku audituesit kanë identifikuar dy subjekte minerare që ushtrojnë aktivitet në Lazarat dhe katër shoqëri të prodhimit të energjisë, për të cilat bashkia nuk administron dokumentacionin e plotë të përdorimit të sipërfaqeve.
Në rastin e dy subjekteve minerare, KLSH evidenton se ato nuk paguanin detyrimet për aktivitetin e kryer, pasi nuk ishin identifikuar nga strukturat përkatëse të bashkisë.
Për këto mosveprime, raporti ngarkon me përgjegjësi administrative edhe kryetarin Flamur Golemi, krahas drejtuesve të strukturave përgjegjëse për pronat publike, pyjet dhe kullotat.
Tenderat me kritere të ekzagjeruara dhe deklarata të paplotësuara për konfliktin e interesit
Një tjetër problematikë e rëndësishme lidhet me mënyrën e organizimit të tenderave dhe kontrollin e përdorimit të fondeve publike.
Nga nëntë procedura prokurimi të audituara mbi pragun e blerjeve me vlerë të vogël, në katër raste KLSH ka konstatuar kritere kualifikimi të paqarta, të paargumentuara teknikisht ose të ekzagjeruara në raport me objektin e kontratës.
Në shtatë prej nëntë procedurave janë shkelur afatet ligjore për vlerësimin e ofertave, ndërsa në gjashtë procedura, si edhe në pesë blerje me vlerë të vogël, janë konstatuar deklarata të paplotësuara për konfliktin e interesit nga anëtarët e komisioneve përkatëse.
Në pesë procedura të tjera, përfshirë blerjen e automjetit zjarrfikës dhe furnizimin me materiale elektrike, pastrimi e ndërtimi, bashkia kishte përdorur si referencë oferta tregu pa administruar dokumentacionin përkatës dhe pa identifikuar kompanitë që i kishin paraqitur ato.
Problemet me tenderat nuk përfundojnë te procedurat. KLSH ka konstatuar edhe katër kontrata investimesh publike ku janë përfshirë në situacionet e punimeve volume që nuk rezultojnë të realizuara.
Dëmi ekonomik i përllogaritur është 1.2 milionë lekë pa TVSH dhe lidhet me ndërhyrjet në hapësirat rreth Pallatit të Sportit, shkollën “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, rrugën Taroninë–Zhulat dhe rehabilitimin e segmenteve të ndryshme rrugore.
Miliona lekë të pambledhura, ndërsa investimet mbetën në letër
Paralelisht me problemet në tendera, Bashkia Gjirokastër rezulton me një nivel të konsiderueshëm detyrimesh të paarkëtuara nga bizneset dhe qytetarët.
Sipas KLSH-së, në fund të vitit 2025, plot 834 biznese i detyroheshin bashkisë 57.07 milionë lekë taksa dhe tarifa vendore.
Detyrime të tjera prej 18.38 milionë lekësh rezultojnë nga taksa e tokës bujqësore për 3,446 abonentë, ndërsa 5.53 milionë lekë të tjera nuk janë arkëtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e legalizuara.
Edhe në sektorin e karburanteve, audituesit kanë konstatuar detyrime prej 2.05 milionë lekësh për licencat e tregtimit, për të cilat rekomandohet ndjekja e procedurave të arkëtimit.
Ndërkohë, megjithëse bashkia ka nevojë për investime dhe përmirësim të shërbimeve, gjatë vitit 2025 janë realizuar vetëm 181.9 milionë lekë nga 305.5 milionë lekë investime të planifikuara.
Pra, rreth 123.6 milionë lekë investime, ose 40.5% e planit, nuk janë realizuar.
Raporti evidenton gjithashtu se në fund të vitit kishin mbetur të papërdorura 278.23 milionë lekë nga transfertat e pakushtëzuara dhe specifike.
Një tjetër tregues i dobësive të administrimit është moszbatimi i rekomandimeve të mëparshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nga 14 masa organizative të pranuara, vetëm tri ishin zbatuar plotësisht, ndërsa të pesë masat për shpërblimin e dëmeve ekonomike rezultonin të pazbatuara.
KLSH ka rikërkuar ndër të tjera arkëtimin e mbi 20 milionë lekëve dëme të konstatuara në auditime të mëparshme, që lidhen me projektin e Ujësjellësit të Lazaratit dhe ndërhyrjet për stabilizimin e rrëshqitjes në Kodrën e Çafkës.
Gjetjet e raportit nxjerrin në pah probleme të përsëritura në menaxhimin e pasurive, mbledhjen e të ardhurave, organizimin e tenderave dhe kontrollin e investimeve publike.
Për drejtuesin e Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, auditimi ngre pyetje mbi përgjegjësinë për funksionimin e administratës dhe masat që janë marrë për korrigjimin e shkeljeve, veçanërisht kur një pjesë e rekomandimeve vijojnë të mbeten të pazbatuara nga vitet e mëparshme. /skyweb.al
















