Një kompani ndërtimi, e cila përfitoi mbi 119 milionë lekë nga një prej firmave fituese të tenderit të AKSHI-t për laboratorët SMART në shkolla, rezulton të ketë paguar edhe 290 mijë euro për blerjen e një automjeti luksoz Range Rover, i cili më pas i është sekuestruar biznesmenit Ergys Agasi.
Bëhet fjalë për shoqërinë “Enklo Construction”, në pronësi 100% të Enxhi Jegenit, e cila sipas dokumenteve të administruara nga SPAK ka paguar pranë kompanisë “Mektrin Motors” automjetin Range Rover me targa G444A.
Lidhja mes kompanisë së ndërtimit, tenderit të AKSHI-t dhe automjetit të Agasit ka dalë gjatë hetimeve për dosjen e korrupsionit dhe pastrimit të parave, pjesë e së cilës është edhe ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni.
Të dhënat janë pasqyruar në dosjen e SPAK, ku përshkruhet një zinxhir faturash dhe transfertash bankare mes kompanive që kanë përfituar fonde nga prokurimet publike.
Si nisën lëvizjet e parave nga tenderi i laboratorëve SMART?
Më 24 tetor 2023, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit lidhi kontratën nr. 776, me vlerë 1.669.372.673 lekë, për laboratorët SMART të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Tenderi ishte fituar nga bashkimi i operatorëve “Albascan” dhe “Sinteza Co”. Kompania e dytë është në pronësi të Shkëlqim Dinos, ndërsa në pronësinë e Albascan rezultojnë Elton dhe Elision Jorgji.
Sipas dokumenteve hetimore, vetëm gjatë periudhës tetor 2023–mars 2024, Albascan kishte përfituar 1.438.138.023 lekë në kuadër të kontratës publike.
Më 21 mars 2024, Albascan transferoi në llogarinë e Sinteza Co shumën prej 151.263.144 lekësh, mbi bazën e faturës nr. 744, me përshkrimin “Instalim/Konfigurim”, për një sasi prej 102 njësish.
Po atë ditë, një tjetër faturë, me numër 5, ishte lëshuar nga Enklo Construction për Sinteza Co, me të njëjtin përshkrim “Instalim/Konfigurim”, por për 82 njësi dhe me vlerë 119.162.400 lekë.
Më 25 mars 2024, Sinteza Co i transferoi Enklo Construction të gjithë shumën prej 119.162.400 lekësh.
Dy faturat kishin një diferencë prej 32.100.744 lekësh, ndërsa sasia e shërbimeve të faturuara ndryshonte me 20 njësi. Në dokumentin gjyqësor nuk përcaktohet nëse kjo diferencë përfaqëson punime shtesë, shërbime të ndryshme apo përfitime të pajustifikuara.
Kompania e ndërtimit që faturonte instalime teknologjike
Pikërisht pagesa drejt Enklo Construction ka tërhequr vëmendjen e hetuesve, pasi nga verifikimet rezultoi se kjo shoqëri nuk kishte lidhje me aktivitetin e teknologjisë së informacionit.
Sipas SPAK, në regjistrin noterial nuk rezulton kontratë me objekt instalimin dhe konfigurimin e shërbimeve për të cilat kompania kishte lëshuar faturën prej mbi 119 milionë lekësh.
Administratori i Sinteza Co ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nuk e njihte Enklo Construction dhe nuk dinte nëse punimet ishin kryer. Ai ka përmendur Elision Jorgjin si personin që i kishte kërkuar kryerjen e këtyre veprimeve.
Ndërkohë, administratori i Enklo Construction ka deklaruar se kompania merrej me ndërtime dhe jo me teknologji informacioni, duke shtuar se nuk kishte dijeni për kryerjen e aktiviteteve të tilla nga shoqëria.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Posaçme dyshon se Enklo Construction nuk ka kryer realisht punimet e faturuara, por është përdorur si hallkë për qarkullimin e fondeve të përfituara nga kontratat e AKSHI-t.
Nga 119 milionë lekët te Land Rover-i 290 mijë euro
Pas transfertës prej 119.162.400 lekësh nga Sinteza Co, hetimi ka identifikuar edhe lëvizje të tjera financiare nga Enklo Construction.
Më 26 mars 2024, vetëm një ditë pas marrjes së parave, Enklo transferoi 42 milionë lekë drejt shoqërisë Fortis Beton, të lidhur me biznesmenin Orest Sota.
Në përshkrimin e pagesës bankare thuhej se shuma ishte kaluar në bazë të një kontrate huaje të datës 25 mars 2024.
Por një tjetër transaksion i identifikuar nga SPAK lidhet drejtpërdrejt me Ergys Agasin.
Sipas dosjes, Enklo Construction ka paguar 290.000 euro te Mektrin Motors për blerjen e një Land Rover-i me targa G444A, automjet i sekuestruar më pas nga hetuesit në kuadër të procedimit ndaj Agasit.
Në dokumentin e Apelit nuk specifikohet data kur është kryer pagesa e automjetit dhe as marrëdhënia kontraktore mbi bazën e së cilës kompania e ndërtimit pagoi një makinë që përfundoi në përdorim të biznesmenit.
Gjithashtu, nuk është përcaktuar ende në mënyrë përfundimtare nëse shuma e përdorur për blerjen e Land Rover-it ka dalë drejtpërdrejt nga transferta prej 119 milionë lekësh e lidhur me tenderin e laboratorëve SMART apo nga fonde të tjera të kompanisë.
Megjithatë, transaksionet e evidentuara nga SPAK tregojnë se e njëjta shoqëri që përfitoi pagesën për instalime teknologjike, të cilat prokuroria dyshon se nuk janë realizuar, ishte edhe paguesja e automjetit luksoz të sekuestruar nga Agasi.
Fleta me llogaritje e gjetur në zyrën e Agasit
Një nga provat që ka orientuar hetimin financiar është një fletë me shënime dore, e sekuestruar në ambientet e kompanisë “EA Tobacco”, ku Ergys Agasi ishte ortak.
Në këtë dokument rezultonte shuma prej 119.162.400 lekësh, e ndarë në 19.860.400 lekë TVSH, 14.895.300 lekë tatim mbi fitimin dhe 84.406.700 lekë vlerë neto të mbetur.
Shifra përputhej me faturën e lëshuar nga Enklo Construction për Sinteza Co, duke ngritur për hetuesit dyshime mbi rolin e Agasit në këtë zinxhir financiar, edhe pse ai nuk figuron si pronar i këtyre dy kompanive.
Hetimet janë shtrirë më tej edhe drejt Fortis Beton dhe transfertave në Gjermani, ku janë identifikuar lidhje me familjarë të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se fondet e përfituara nga prokurimet publike të AKSHI-t janë përdorur për veprime korruptive dhe për fshehjen e origjinës së parave.
Për blerjen e Range Rover-it, mbeten ende për t’u sqaruar burimi përfundimtar i financimit, mënyra e regjistrimit kontabël të pagesës prej 290 mijë eurosh dhe baza juridike që e lidh Enklo Construction me automjetin e përdorur nga Agasi.
Këto rrethana janë objekt i hetimeve dhe nuk përbëjnë ende përgjegjësi penale të provuar për personat apo shoqëritë e përfshira. /skyweb.al















