Qytetarët që kanë nevojë të marrin me urgjencë dokumente pronësie apo të kryejnë veprime të tjera kadastrale mund të përfitojnë nga një procedurë e përshpejtuar, kundrejt një pagese shtesë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka publikuar një udhëzues për mënyrën se si qytetarët mund të aplikojnë për shërbimet e përshpejtuara, të njohura si FAST, përmes portalit e-Albania.
Kjo procedurë u vjen në ndihmë veçanërisht personave që kanë afate të ngushta për përfundimin e transaksioneve të pronës, pajisjen me dokumentacion apo kryerjen e veprimeve të tjera administrative.
Sipas Kadastrës, hapi i parë është identifikimi i shërbimit për të cilin qytetari dëshiron të aplikojë dhe verifikimi nëse ai ofrohet me procedurë të përshpejtuar.
Më pas, aplikanti duhet të hyjë në portalin e-Albania dhe të ndjekë procedurën e zakonshme të plotësimit të formularit.
Megjithatë, për të përfituar shërbimin FAST, duhet të kryhet një veprim specifik gjatë aplikimit.
Në hapësirën “Zgjidh shërbimet”, qytetari duhet të shtypë butonin “Fshi” për të hequr shërbimin e paracaktuar.
Më pas duhet ta kërkojë përsëri të njëjtin shërbim, por duke vendosur parashtesën “PP_”, e cila identifikon procedurën e përshpejtuar.
Pas përzgjedhjes, aplikanti vijon me plotësimin e formularit, dokumentacionin përkatës dhe pagesën.
Sa kushton shërbimi i përshpejtuar?
Kadastra sqaron se procedura FAST ka një tarifë shtesë krahasuar me shërbimin e zakonshëm.
Kostoja dhe afati varen nga shërbimi konkret për të cilin aplikohet.
Për shembull, sipas informacionit të publikuar në e-Albania, shërbimi për regjistrimin e një kategorie të hipotekës gjyqësore ka një tarifë prej 10 mijë lekësh me procedurë të përshpejtuar dhe ofrohet brenda 24 orëve nga konfirmimi i pagesës, kundrejt afatit standard prej pesë ditësh pune.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha shërbimet kadastrale mund të përfundohen brenda 24 orëve.
Qytetarët duhet të verifikojnë paraprakisht nëse shërbimi që kërkojnë është pjesë e listës FAST, si dhe tarifën dhe afatin përkatës.
Lista e shërbimeve dhe informacioni për tarifat gjenden në faqen zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në adresën www.ashk.gov.al/sherbime/.
Procedura e përshpejtuar synon të shmangë pritjen e afateve standarde për qytetarët që kanë nevojë urgjente për dokumentet e pronës, por përfitimi i saj është i kushtëzuar nga pagesa e tarifës së përcaktuar. /skyweb.al
















