Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit” ka ngritur publikisht një shqetësim serioz për fatin e qumështit të refuzuar nga fabrikat përpunuese, duke shtruar pyetjen: “Ku përfundon pasi e refuzojmë ne?”
Në një reagim publik, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) bën të ditur se fabrikat anëtare të saj kontrollojnë qumështin e papërpunuar për aflatoksinën M1, mbetjet e antibiotikëve, numrin e qelizave somatike dhe ngarkesën e përgjithshme mikrobike.
Sipas shoqatës, çdo sasi qumështi që nuk plotëson kriteret e pranimit refuzohet dhe i kthehet furnizuesit.
Por pikërisht këtu lind shqetësimi më i madh i industrisë: çfarë ndodh më pas me këtë qumësht dhe ku përfundon ai pasi del jashtë parametrave të lejuar?
IPQ shprehet se ka shqetësim për destinacionin e qumështit të refuzuar pas kthimit, ndërsa u kërkon autoriteteve përgjegjëse që të gjurmojnë këto sasi dhe të verifikojnë mënyrën se si administrohen.
Sipas përpunuesve, qëllimi është të parandalohet që qumështi jashtë standardeve të shitet për konsum ose të përfundojë në përpunim përmes kanaleve të tjera.
Ky është thelbi i alarmit të industrisë: nëse fabrikat e licencuara e refuzojnë qumështin për shkak të aflatoksinës apo parametrave të tjerë të sigurisë ushqimore, atëherë duhet të dihet me saktësi se ku shkon kjo sasi dhe nëse ajo del sërish në treg.
Në reagimin e saj, IPQ thekson se fabrikat anëtare punojnë sistematikisht edhe me fermerët për përmirësimin e cilësisë, përmes ruajtjes së mirë të misrit, silazhit dhe ushqimeve të tjera për blegtorinë, kontrollit të shëndetit të gjirit, higjienës së mjeljes dhe ftohjes së shpejtë të qumështit.
Shoqata nënvizon se synimi i saj është që qumështi i prodhuar në Shqipëri të përmbushë në mënyrë të qëndrueshme standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian.
Megjithatë, reagimi i fundit e zhvendos vëmendjen te një hallkë problematike e zinxhirit: jo vetëm kontrolli në hyrje nga fabrikat, por edhe administrimi i qumështit të refuzuar pas daljes nga sistemi i përpunuesve formalë.
Në thelb, përpunuesit po thonë se ata bëjnë filtrimin dhe refuzimin e sasive problematike, por shteti duhet të tregojë se ku përfundojnë këto sasi më pas.
Pikërisht për këtë arsye, IPQ kërkon ndërhyrje dhe verifikim nga autoritetet, për të shmangur rrezikun që qumështi i refuzuar për shkak të aflatoksinës M1 apo treguesve të tjerë të sigurisë të rikthehet në treg përmes rrugëve të pakontrolluara. /skyweb.al
















