Qeveria ka gjetur një tjetër shkaktar për ngadalësimin e rritjes ekonomike në Shqipëri: protestat kundër saj. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi në Kuvend se protestat e dhunshme dhe dëmtimi i bizneseve do të ndikojnë negativisht në ecurinë e ekonomisë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2026.
Deklarata u bë në Komisionin e Ekonomisë, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, ku deputetët e opozitës kërkuan shpjegime për uljen e ritmit të parashikuar të rritjes ekonomike.
Sipas shifrave të paraqitura në Kuvend, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 3.9%, nga 4% që ishte rritja e një viti më parë.
Pikërisht kjo diferencë u bë objekt debati mes ministres dhe deputetit demokrat Bujar Leskaj, i cili vuri në diskutim deklaratat optimiste të qeverisë për performancën ekonomike të vendit.
Leskaj kërkoi të dinte se si mund të flitej për një “mrekulli ekonomike shqiptare”, ndërkohë që vetë parashikimet qeveritare tregojnë një ngadalësim të rritjes.
Në përgjigjen e saj, Ibrahimaj solli në vëmendje protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit, duke i lidhur episodet e dhunës dhe dëmtimin e bizneseve me ecurinë më të dobët të aktivitetit ekonomik.
“Në këtë tremujor, për arsye të protestave të dhunshme, ne kemi pasur një efekt në ekonomi”, deklaroi ministrja.
Ajo argumentoi se disa biznese po përballen me pasojat e incidenteve gjatë protestave, çka sipas saj do të reflektohet edhe në treguesit ekonomikë.
“Protestat qytetare nuk janë të dhunshme dhe nuk dëmtojnë biznesin privat. Për shkak të kësaj, ne do të ndiejmë një ecuri më të ngadaltë të ekonomisë, sepse kemi biznese të tëra të cilat po ndiejnë efektet e dhunës në protesta”, u shpreh Ibrahimaj.
Kështu, përballë pyetjeve mbi ngadalësimin e ekonomisë, ministrja identifikoi protestat e dhunshme si një prej faktorëve që pritet të ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, gjatë diskutimit nuk u paraqit një përllogaritje konkrete se sa është dëmi ekonomik i shkaktuar nga protestat dhe çfarë peshe zë ai në ngadalësimin e parashikuar të rritjes.
Deklarata vjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare po përballet edhe me rritjen e kostove të ushqimeve, karburanteve dhe shërbimeve, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.4% gjatë tetorit.
Përveç debatit mbi rritjen ekonomike, në Komision u diskutua edhe mënyra se si qeveria synon të mbështesë pensionistët gjatë vitit të ardhshëm.
Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi ndryshimin e formulës së indeksimit të pensioneve, duke argumentuar se sistemi aktual favorizon në vlerë absolute ata që marrin pensione më të larta, ndërsa pensionistët me të ardhura të ulëta përballojnë më me vështirësi rritjen e çmimeve.
Ibrahimaj pranoi mundësinë e rishikimit të metodologjisë, duke propozuar nisjen e një studimi për të vlerësuar nëse indeksimi mund të kryhet në mënyrë të shkallëzuar.
Sipas saj, një formulë e tillë mund të krijojë mundësinë që pensionistët me të ardhura më të ulëta të përfitojnë një mbështetje më të madhe.
Ministrja shpjegoi gjithashtu se qeveria ka zgjedhur të mbështesë pensionistët përmes bonuseve, pasi përfshirja e menjëhershme e këtyre shumave në pensionin bazë do të krijonte një kosto të përhershme për buxhetin.
Ajo bëri të ditur se po shqyrtohet, në bashkëpunim me Bankën Botërore, një zgjidhje afatgjatë për vazhdimin e mbështetjes financiare edhe pas vitit 2029.
Një tjetër temë ishte paketa fiskale e vitit 2027 dhe ndikimi që ndryshimet e taksave pritet të kenë në çmimet e konsumit.
Ibrahimaj deklaroi se do të monitorohet tregu për të siguruar që ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte ushqimore të reflektohet te çmimet që paguajnë qytetarët.
Kontrolle dhe mekanizma monitorimi janë paralajmëruar edhe për tregun e karburanteve, pas propozimit për heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës dhe kalimin drejt një sistemi të ri taksimi të automjeteve.
Ndërkohë, për industrinë fason, e goditur nga zhvlerësimi i euros dhe kostot e prodhimit, ministrja përjashtoi mbështetjen e drejtpërdrejtë të modelit aktual të biznesit, duke orientuar politikat drejt investimeve dhe transformimit të sektorit.
Por debati më i fortë mbeti ai për ngadalësimin e ekonomisë, ku përballë kërkesës së opozitës për shpjegime mbi rritjen më të ulët ekonomike, ministrja Ibrahimaj solli si argument pasojat e protestave. /skyweb.al















