Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore The Lancet Regional Health – Europe ka zbuluar se ndërprerja e trajtimit me medikamentet GLP-1, të përdorura për diabetin e tipit 2 dhe obezitetin, lidhet me një dyfishim të rrezikut për infarkt jo fatal, goditje në tru ose vdekje nga çdo shkak.
Sipas studiuesve, personat që ndërpresin trajtimin përballen me rreth katër ngjarje të tilla për çdo 100 persona në vit, krahasuar me dy raste për 100 persona në vit tek ata që vazhdojnë mjekimin.
Studimi tregon se rreziku është edhe më i lartë tek personat me obezitet. Ata me indeks të masës trupore mbi 30, pas ndërprerjes së trajtimit, kishin një rritje prej 127% të rrezikut kardiovaskular, ndërsa tek personat pa obezitet rritja ishte 61%.
Medikamentet GLP-1 imitojnë veprimin e hormonit natyror GLP-1, duke ndihmuar në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak dhe uljen e oreksit. Përveç trajtimit të diabetit dhe obezitetit, këto barna janë lidhur edhe me përfitime për shëndetin e zemrës dhe veshkave.
Megjithatë, një numër i konsiderueshëm pacientësh e ndërpresin trajtimin, kryesisht për shkak të efekteve anësore gastrointestinale, kostos së lartë, mungesës së rezultateve të perceptuara ose shqetësimeve për efektet e rralla anësore.
Pas ndërprerjes së këtyre medikamenteve, shpesh vërehet rikthim i peshës dhe përkeqësim i disa faktorëve të rrezikut metabolik, përfshirë nivelin e sheqerit në gjak dhe tensionin arterial.
Për studimin, studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të më shumë se 80 mijë personave me diabet të tipit 2, pa histori të mëparshme të sëmundjeve kardiovaskulare, të regjistruar në mbi 300 klinika diabeti në Itali, gjatë periudhës 2004–2024.
Personat që vazhduan trajtimin përdorën GLP-1 për gati tre vjet mesatarisht, ndërsa ata që e ndërprenë e kishin përdorur për pak më shumë se një vit.
Studiuesit theksojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes, pasi bëhet fjalë për një studim vëzhgues. Kjo do të thotë se nuk mund të provohet se ndërprerja e barnave shkakton drejtpërdrejt rritjen e rrezikut. Është e mundur që personat që e ndërprenë trajtimin të kishin edhe probleme të tjera shëndetësore që ndikonin në rezultat.
Një tjetër kufizim është se shumica e pjesëmarrësve kishin përdorur gjeneratat e mëparshme të GLP-1. Semaglutidi përbënte vetëm një pjesë të vogël të trajtimeve, ndërsa tirzepatidi nuk ishte përfshirë në analizë.
Autorët nënvizojnë se gjetjet sugjerojnë rëndësinë e vazhdimësisë së trajtimit për personat me diabet të tipit 2, por theksojnë se nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë lidhjen mes ndërprerjes së këtyre barnave dhe rrezikut kardiovaskular.
Ekspertët këshillojnë që pacientët të mos e ndërpresin trajtimin pa u konsultuar më parë me mjekun që i ndjek. /skyweb.al
















