Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) propozon masa të reja për kontrollin e ushqimeve që përmbajnë ngjyrues, aromatizues dhe ëmbëltues të shtuar, duke paralajmëruar për ndikimin e tyre në shëndetin e konsumatorëve.
Në një projektudhëzim të ri, OBSH u bën thirrje qeverive të shqyrtojnë masa si etiketat paralajmëruese dhe taksat për produkte të caktuara, në varësi të prioriteteve shëndetësore të çdo vendi.
Për herë të parë, agjencia e OKB-së propozon që vlerësimi i ushqimeve të mos bazohet vetëm te përmbajtja ushqyese, si yndyrnat, sheqeri dhe kripa, por edhe te përbërësit që përdoren për t’i bërë produktet më tërheqëse për konsumatorët.
Sipas OBSH-së, rreth 11 milionë vdekje çdo vit në botë lidhen me ushqyerjen jo të shëndetshme.
Udhëzimi i ri synon gjithashtu të orientojë shtetet në debatin gjithnjë e më të fortë për ushqimet ultra të përpunuara, ku përfshihen pije të gazuara, supa dhe makarona të çastit, si dhe produkte të tjera që përmbajnë përbërës industrialë dhe aditivë.
Megjithatë, propozimi ka shkaktuar reagime nga industria ushqimore. Aleanca Ndërkombëtare e Ushqimeve dhe Pijeve, që përfaqëson disa prej kompanive më të mëdha shumëkombëshe, shprehu shqetësimin se qasja e re mund të largojë vëmendjen nga cilësia ushqyese e produkteve dhe të përfshijë një numër më të madh ushqimesh në kategorinë e produkteve që mund të rregullohen.
Përfaqësuesit e industrisë paralajmërojnë gjithashtu për rritje të kostove të prodhimit, detyrime më të rrepta për etiketimin, taksa shtesë dhe rrezik më të madh për procese gjyqësore.
Projektudhëzimi i OBSH-së pritet të nxisë debat mes autoriteteve shëndetësore dhe industrisë ushqimore për mënyrën se si duhen identifikuar dhe kontrolluar produktet që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin publik. /skyweb.al















