Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka kërkuar përditësimin e informacionit të sigurisë për barnat e grupit GLP-1, të cilat përdoren për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe menaxhimin e obezitetit. Përditësimi përfshin një paralajmërim për rrezikun e mundshëm të një sëmundjeje të rrallë të syrit, e cila në raste të caktuara mund të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit.
Vendimi, i bërë publik më 9 nëntor, prek medikamente të njohura si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound, si dhe barna të tjera të së njëjtës klasë.
Shqetësimi kryesor lidhet me neuropatinë optike ishemike anteriore joarteritike (NAION), një çrregullim që ndodh kur pakësohet furnizimi me gjak i pjesës së përparme të nervit optik.
Simptomat mund të përfshijnë humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit në njërin sy, turbullim të pamjes, shfaqjen e zonave të verbra dhe ndryshime në perceptimin e ngjyrave. Në disa raste, dëmtimi i shikimit mund të jetë i pakthyeshëm.
Sipas analizës së FDA-së, e cila përfshiu 126 prova klinike me mbi 134 mijë pjesëmarrës, te personat që trajtoheshin me barna GLP-1 u regjistruan rreth 6,4 raste të NAION për 100 mijë persona-vjet. Në grupet e krahasimit, kjo shifër ishte 3,8 raste për 100 mijë persona-vjet.
Megjithatë, FDA sqaron se këto të dhëna tregojnë një rritje të mundshme të rrezikut, por nuk provojnë përfundimisht se përdorimi i barnave GLP-1 është shkaku i drejtpërdrejtë i kësaj sëmundjeje.
Agjencia u bën thirrje pacientëve që të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse vërejnë ndryshime të papritura në shikim. Ndërsa personat që janë diagnostikuar me NAION këshillohen të diskutojnë me mjekun nëse duhet të vazhdojnë trajtimin.
Edhe profesionistëve shëndetësorë u kërkohet të vlerësojnë pa vonesë pacientët me simptoma të dyshimta dhe të shqyrtojnë ndërprerjen e medikamentit në rastet kur sëmundja konfirmohet, duke marrë parasysh përfitimet dhe rreziqet për secilin pacient.
Barnat GLP-1 përdoren gjerësisht për kontrollin e diabetit të tipit 2 dhe trajtimin e obezitetit. FDA thekson se pacientët duhet të informohen për këtë rrezik të mundshëm, por nuk duhet ta ndërpresin trajtimin me iniciativën e tyre, pa u konsultuar më parë me mjekun.















