Fenomeni klimatik El Niño po ndikon edhe në industrinë ushqimore, duke detyruar prodhuesin Kellanova, që tregton drithërat Kellogg’s në Mbretërinë e Bashkuar, të ndryshojë përbërjen e disa prej produkteve të tij më të njohura, Rice Krispies dhe Coco Pops.
Për shkak të ndryshimeve të motit, kompania ka vendosur të mos përdorë më kokrra të plota orizi në prodhimin e tyre, por miell misri dhe miell orizi.
Në një deklaratë, përfaqësuesi i kompanisë shpjegoi se ndryshimi synon të garantojë cilësinë e qëndrueshme të produkteve, pasi kushtet atmosferike po ndikojnë në cilësinë dhe disponueshmërinë e orizit dhe drithërave të tjera.
Ndryshimi do të prekë fillimisht tregjet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Europës, ndërsa konsumatorët në SHBA dhe Kanada do të vijojnë të kenë produktet me recetën aktuale. Ndërkohë, disa konsumatorë kanë shprehur pakënaqësi në rrjetet sociale, duke vënë në dukje se Rice Krispies kanë humbur kërcitjen karakteristike.
Pas këtyre ndryshimeve qëndron fenomeni El Niño, i cili karakterizohet nga rritja e pazakontë e temperaturave të ujërave në Oqeanin Paqësor dhe që ndikon në modelet e motit në mbarë botën. Episodi i këtij viti, i cilësuar edhe si “Super El Niño”, po shoqërohet me temperatura jashtëzakonisht të larta, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë për ndikime të mëtejshme nga ndërthurja me ndryshimet klimatike.
Pasojat mund të shtrihen përtej industrisë së drithërave të mëngjesit. Studiuesit paralajmërojnë se çrregullimet klimatike mund të ndikojnë në prodhimin e misrit, fasuleve, kafesë, kakaos, sheqerit, vajit të palmës dhe orizit, duke rrezikuar furnizimin me produkte ushqimore në tregjet ndërkombëtare.
Në Azinë Jugore dhe Juglindore, temperaturat e larta dhe mungesa e ujit po vështirësojnë kultivimin e orizit. Situata rëndohet edhe nga rritja e çmimeve të plehrave kimike, e lidhur me luftën në Iran, që sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), po i detyron fermerët të reduktojnë sipërfaqet e mbjella.
Ekspertët paralajmërojnë se El Niño mund të sjellë pasoja për sigurinë ushqimore globale, ndërsa ndikimi i tij në të korrat dhe zinxhirët e furnizimit do të jetë një nga sfidat që do të kërkojnë përgjigje nga qeveritë në vijim. /skyweb.al
















