Rrëzimet e përsëritura mund të lënë pasoja jo vetëm fizike, por edhe psikologjike tek të moshuarit. Frika se mund të humbasin sërish ekuilibrin i bën shumë prej tyre të shmangin lëvizjen dhe aktivitetet e përditshme. Por pikërisht kjo sjellje mund të rrisë edhe më shumë rrezikun e rrëzimit.
Ben Melancon, një ish-sportist në të 70-at, kishte përjetuar më shumë se një duzinë rrëzimesh në shkallë, derisa frika për t’i përdorur ato u bë e vazhdueshme. Rrëzimi i fundit i shkaktoi një dëmtim pranë syrit të majtë, që kërkoi nëntë qepje.
“U tmerrova nga ato shkallë”, tregoi ai në një njoftim të Qendrës Mjekësore Wexner të Universitetit Shtetëror të Ohajos.
Sipas specialistëve, frika nga rrëzimi mund të krijojë një rreth vicioz. Të moshuarit që nuk ndihen të sigurt gjatë ecjes apo lëvizjes kanë tendencë të shmangin aktivitetin fizik. Kjo sjell dobësim të muskujve, ulje të lëvizshmërisë dhe përkeqësim të ekuilibrit, duke rritur mundësinë e një tjetër rrëzimi.
Sipas specialistëve, frika nga rrëzimi mund të krijojë një rreth vicioz. Të moshuarit që nuk ndihen të sigurt gjatë ecjes apo lëvizjes kanë tendencë të shmangin aktivitetin fizik. Kjo sjell dobësim të muskujve, ulje të lëvizshmërisë dhe përkeqësim të ekuilibrit, duke rritur mundësinë e një tjetër rrëzimi.
Një anketë kombëtare e zhvilluar nga Qendra Mjekësore Wexner, ku morën pjesë 1,007 të rritur në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se 63% e të pyeturve nuk e konsideronin ankthin nga frika e rrëzimit si faktor rreziku. Ndërkohë, 60% nuk e njihnin humbjen e dëgjimit si një tjetër faktor që mund të ndikojë në rënie, ndërsa 74% nuk ishin në dijeni se nevoja urgjente për të shkuar në tualet mund të shtojë rrezikun e aksidenteve të tilla.
“Faktori kryesor i rrezikut për një rrëzim është një rrëzim i mëparshëm”, theksoi Michelle Easley, specialiste në Klinikën e Parandalimit të Rrëzimeve pranë kësaj qendre mjekësore. Sipas saj, identifikimi i hershëm i faktorëve të rrezikut mund të ndihmojë në ndërhyrjen në kohë dhe parandalimin e dëmtimeve më serioze.
Rrëzimet, shqetësim i shëndetit publik edhe në Evropë
Problematika nuk kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara. Rrëzimet përbëjnë një shqetësim të rëndësishëm të shëndetit publik edhe në Evropë, ku lidhen me shtrime në spital, paaftësi fizike, humbje të pavarësisë dhe vdekje të parakohshme tek të moshuarit.
Sipas një raporti informues të Shoqatës Evropiane për Parandalimin e Dëmtimeve dhe Promovimin e Sigurisë, EuroSafe, rreth 35,848 persona mbi moshën 65 vjeç humbnin jetën çdo vit nga rrëzimet në Bashkimin Evropian, bazuar në të dhënat e viteve 2010–2012.
Rrëzimet përbënin gjithashtu 58% të vizitave në urgjencë për shkak të dëmtimeve tek të moshuarit. Pothuajse gjysma e këtyre rasteve shoqëroheshin me fraktura, ndërsa rreth një në pesë përfshinte dëmtime në kokë.
Rreziku i pasojave më të rënda rritet me moshën. Sipas të njëjtit raport, 32% e dëmtimeve nga rrëzimet tek personat 65–74 vjeç kërkojnë shtrim në spital. Kjo shifër arrin në 39% për grupmoshën 75–84 vjeç dhe 45% tek personat mbi 85 vjeç.
Rrëzimet mund të shkaktohen nga një kombinim faktorësh fizikë, shëndetësorë dhe mjedisorë. Dobësimi i muskujve, problemet me ekuilibrin, dëmtimi i shikimit apo dëgjimit, sëmundjet kronike dhe përdorimi i disa medikamenteve mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe kushtet e banesës. Sipas EuroSafe, 64% e dëmtimeve nga rrëzimet ndodhin në shtëpi. Më shumë se gjysma e aksidenteve brenda banesës regjistrohen në dhomat e ndenjes dhe të gjumit, të ndjekura nga banjat dhe shkallët.
Ndërkohë, jashtë banesës, trotuaret e dëmtuara, sipërfaqet e rrëshqitshme dhe hapësirat publike të mirëmbajtura keq përbëjnë rreziqe të tjera.
Specialistët rekomandojnë vlerësimin individual të rrezikut, kontrollin e medikamenteve, aktivitetin fizik dhe ushtrimet për forcimin e muskujve dhe përmirësimin e ekuilibrit, mundësisht nën mbikëqyrjen e fizioterapistëve.
Përvoja e Melancon është një shembull se ndërhyrja e duhur mund të bëjë ndryshimin. Pas katër muajsh ushtrimesh disa herë në javë në Klinikën e Parandalimit të Rrëzimeve, si dhe aktivitetit fizik në shtëpi, ai arriti të përmirësojë forcën dhe ekuilibrin. Që prej përfundimit të programit, nuk ka pasur më rrëzime.
Sipas studimeve të cituara nga EuroSafe, programet e synuara për parandalimin e rrëzimeve mund të ulin me 20% deri në 40% shkallën e dëmtimeve tek grupet me rrezik të lartë. /skyweb.al
















