Shqipëria ngelet ende ekonomia më pak e kredituar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 34% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në përmirësim të ndjeshëm nga niveli prej 31.6% i vitit 2024.
Megjithëse kredia në terma realë është rritur për të dytin vit radhazi, sërish Shqipëria ngelet mbrapa vendeve fqinje të rajonit.
Ekonomia me kreditimin më të lartë në rajon është Kosova, me një portofol sa 64.4% e PBB-së, e ndjekur nga Mali i Zi, me 64.1%, Maqedonia e Veriut, me 54%, Bosnje-Hercegovina, me 49.7% dhe Serbia, me 34.8% të PBB-së.
Shqipëria ka pasur nivele të ulëta të kredisë në raport me PBB-në përgjatë gjithë periudhës postkomuniste. Një rritje e shpejtë e këtij raporti u regjistrua sidomos gjatë periudhës 2005-2011, që përkon me zgjerimin e sektorit bankar bankar në vend.
Në vitin 2011, raporti i kredisë ndaj PBB-së arriti nivelin më të lartë historik, me më shumë se 41%. Në vitet që pasuan, ky raport pësoi rënie të vazhdueshme, për shkak të krizës së kredive me probleme, që solli stanjacion të kreditimit për vite me radhë dhe më pas pastrimit të vazhdueshëm të portofoleve prej kredive të humbura.
Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi në përmasa të konsiderueshme në vitin 2015, kur hyri në fuqi detyrimi i vendosur nga Banka e Shqipërisë për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2026, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre më shumë se 1 miliard euro kredi të humbura.
Në periudhën 2019-2020 ky raport iu kthye rritjes, i nxitur nga gjallërimi i kreditimit, por edhe frenimi i fortë që pësoi ekonomia në vitin pandemik 2020.
Deri në vitin 2023, ky raport ishte përsëri në rënie, sepse huadhënia nuk ka mbajtur dot ritmet e rritjes ekonomike. Pas vitit 2024, rritja me ritme të shpejta e kreditimit ka bërë që edhe raporti me PBB-në t’i kthehet rritjes.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit portofoli i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e 1.015 trilionë lekëve, në rritje vjetore me 12.5%.
Rritja e kredisë në vlerë nominale vazhdon të jetë e lartë dhe po qëndron pranë niveleve më të larta të 18 viteve të fundit.
Megjithatë, kjo rritje e kredisë, veçanërisht me qëllim financimin e pasurive të paluajtshme, ka krijuar shqetësim për Bankën e Shqipërisë, që, duke filluar prej vitit 2024, ka nisur aplikimin e disa masave rregullatore frenuese, me qëllim për ta ngadalësuar këtë rritje./ Monitor















