Frekuentimi i parqeve mund të përmirësojë shëndetin mendor dhe aftësitë sociale të fëmijëve, ndërsa rriten. Ky është përfundimi i një studimi të ri, sipas të cilit fëmijët që kalojnë kohë në parqe të paktën një herë në javë, që nga lindja deri në moshën 11-vjeçare, shfaqin rezultate më të mira në vlerësimet e shëndetit mendor krahasuar me ata që i frekuentojnë më rrallë.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Journal of Epidemiology and Community Health”, përfshiu 4 219 fëmijë. Sipas rezultateve, ata që vizitonin parqet të paktën një herë në javë gjatë kësaj periudhe, shënuan mesatarisht 16.5% më shumë pikë në vlerësimet e shëndetit mendor sesa fëmijët që i frekuentonin më pak se një herë në javë.
Ky përmirësim u vu re edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve, si gjendja socio-ekonomike dhe problemet brenda familjes.
Sipas studiuesve, parqet nuk janë thjesht hapësira për lojë dhe argëtim, por luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin emocional, mendor dhe social të fëmijëve.
“Parqet u ofrojnë fëmijëve hapësirën e nevojshme për të qenë fizikisht aktivë, gjë që dihet se mbështet shëndetin mendor dhe fizik. Gjithashtu, lojërat aventureske dhe ato që nxisin imagjinatën ndihmojnë në ndërtimin e vetëbesimit dhe pavarësisë”, tha Mark Ferguson, studiuesi kryesor nga Universiteti i Exeter-it në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai shtoi se parqet mund të jenë shumë më tepër sesa vende ku fëmijët kalojnë kohën e lirë, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm për zhvillimin e tyre të shëndetshëm.
Studimi u përqendrua veçanërisht te zhvillimi social-emocional, i cili përfshin aftësinë e fëmijëve për të menaxhuar emocionet, për të krijuar marrëdhënie me të tjerët, për të përshtatur sjelljen dhe për të përballuar sfidat e përditshme.
Këto aftësi konsiderohen një bazë e rëndësishme për shëndetin e mirë mendor, jo vetëm gjatë fëmijërisë, por edhe në jetën e mëvonshme.
Rezultatet treguan se fëmijët kishin zhvillim më të mirë social-emocional gjatë periudhave kur frekuentonin më shpesh parqet. Edhe në një vlerësim të përgjithshëm, ata që i vizitonin më rregullisht këto hapësira rezultuan më mirë sesa fëmijët që shkonin më rrallë.
Përfitimet u vunë re në dy drejtime të sjelljes. Nga njëra anë, u evidentuan përmirësime në problemet e brendshme emocionale, si ankthi, shqetësimet emocionale dhe vështirësitë në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët. Nga ana tjetër, u vunë re përmirësime edhe në sjelljet e jashtme, si problemet e disiplinës, hiperaktiviteti dhe vështirësitë në përqendrim.
Studiuesit analizuan gjithashtu ndikimin e kushteve familjare dhe ekonomike në frekuentimin e parqeve. Ata vunë re se fëmijët nga zonat me kushte më të mira ekonomike kishin tendencë t’i vizitonin parqet më shpesh në moshat e vogla, ndërsa fëmijët nga familjet me më pak mundësi ekonomike i frekuentonin më shumë këto hapësira teksa rriteshin.
Sipas autorëve, parqet dhe këndet e lojërave mund të ndihmojnë në reduktimin e pabarazive në zhvillimin e fëmijëve. Megjithatë, për këtë është e domosdoshme që këto hapësira të jenë të aksesueshme, të sigurta dhe lehtësisht të arritshme për të gjitha familjet, pavarësisht kushteve ekonomike. /skyweb.al
















