Konsumimi i rregullt i kafesë mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit tretës, duke nxitur lëvizjet e zorrëve dhe duke ndryshuar përbërjen e baktereve që jetojnë në to. Ky është përfundimi i një studimi të ri të realizuar nga Universiteti i Kopenhagës në Danimarkë.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Gut Microbiology, zbuloi se personat që konsumojnë kafe rregullisht kanë një shumëllojshmëri më të madhe të mikroorganizmave në zorrë, krahasuar me ata që e pinë më rrallë.
Në studim morën pjesë 61 të rritur të shëndetshëm, të cilët u monitoruan për nëntë ditë. Prej tyre, 50 gëlltitën një kapsulë të vogël elektronike, e cila regjistronte ndryshimet gjatë kalimit nëpër aparatin tretës.
Pajisja mati temperaturën, nivelin e aciditetit, kohën e kalimit të përmbajtjes ushqimore dhe kontraktimet e zorrëve.
Pjesëmarrësit u ndanë sipas shpeshtësisë së konsumit të kafesë. Në grupin e konsumatorëve të rregullt u përfshinë ata që pinin nga një deri në pesë filxhanë në ditë, në më shumë se tri nga tetë ditët e regjistrimit.
Rezultatet treguan se konsumimi më i shpeshtë i kafesë lidhej me një numër më të madh llojesh bakteresh në zorrë, çka sugjeron se kjo pije mund të ndikojë në mikrobiomën e organizmit.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm ishte lidhja mes konsumit më të lartë të kafesë dhe kontraktimeve më të shpeshta të zorrës së trashë.
Këto kontraktime ndihmojnë në lëvizjen e përmbajtjes përgjatë sistemit tretës dhe mund të luajnë rol në parandalimin e kapsllëkut.
Sipas studiueses Francesca Bucci, kontraktimet e zorrëve ndihmojnë tretjen, mbështesin jashtëqitjen e rregullt dhe ruajnë funksionimin normal të muskujve të zorrëve.
Shkencëtarët konstatuan gjithashtu se konsumatorët e rregullt të kafesë kishin një nivel më të ulët të pH-së në zorrën e hollë, që nënkupton aciditet më të lartë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky ndryshim është pozitiv apo negativ për shëndetin, pasi aciditeti ndikon në aktivitetin e enzimave tretëse dhe zbërthimin e ushqimeve.
Drejtuesi i grupit kërkimor, Henrik Munch Roager, shpjegon se studimet e mëparshme kanë treguar se kafeja ndikon në procese të ndryshme të tretjes, përfshirë sekretimin e acidit në stomak.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon se kafeja është shkaktarja e drejtpërdrejtë e ndryshimeve të konstatuara.
Për këtë arsye, hapi i ardhshëm do të jetë realizimi i eksperimenteve ku sasia e kafesë kontrollohet nga studiuesit, për të kuptuar më saktë ndikimin e saj.
Sipas ekipit kërkimor, këto rezultate mund të ndihmojnë në zhvillimin e mënyrave të reja për stimulimin natyror të lëvizjeve të zorrëve, veçanërisht te personat që vuajnë nga kapsllëku. /skyweb.al















