Me afrimin e festave të fundvitit dhe nisjen e përgatitjeve për Krishtlindje, Finlanda ka ndërmarrë një nismë të veçantë për t’u kujtuar fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën adresën e vërtetë të Babagjyshit.
Shërbimi postar finlandez ka lançuar një fushatë ndërkombëtare për të korrigjuar një keqkuptim të përhapur prej vitesh: Babagjyshi nuk jeton në Polin e Veriut, por në Rrethin Arktik, në Finlandë.
Fushata synon kryesisht Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, ku shumë njerëz besojnë se shtëpia e Babagjyshit ndodhet në Polin e Veriut.
Në kuadër të kësaj nisme, në sheshin Leicester, në qendër të Londrës, është vendosur një kuti e posaçme postare, ku fëmijët dhe të rriturit mund të dërgojnë letrat e tyre drejtpërdrejt në fshatin e Babagjyshit në Finlandë. Kuti të ngjashme pritet të vendosen edhe në Nju Jork dhe Toronto.
“Duam të sigurohemi që sa më shumë njerëz në botë të njohin adresën e saktë të Babagjyshit. Shumë mendojnë se ajo ndodhet në Polin e Veriut, por në të vërtetë është në Finlandë, në Rrethin Arktik”, deklaroi Jenni Ihatsu.
Ajo shpjegoi se letrat nuk humbasin domosdoshmërisht, por në disa raste mund të përshkojnë një rrugë më të gjatë përpara se të mbërrijnë te Babagjyshi.
Çdo vit, me afrimin e Krishtlindjeve, numri i letrave rritet ndjeshëm. Në to, fëmijët nga vende të ndryshme të botës ndajnë dëshirat e tyre, shkruajnë listat e dhuratave dhe tregojnë shpresat për atë që duan të gjejnë poshtë pemës së Krishtlindjes.
Zyra postare e Babagjyshit ndodhet në Rovaniemi të Finlandës dhe është një degë zyrtare e shërbimit postar të vendit, e cila funksionon gjatë gjithë vitit. Aty, gjashtë ndihmës të Babagjyshit, të njohur si kukudhët, kujdesen për përpunimin e korrespondencës. Gjatë sezonit festiv, numri i punonjësve rritet në rreth 20.
Sipas të dhënave të shërbimit postar, zyra merr mesatarisht 500 mijë letra në vit nga e gjithë bota, ndërsa në ditët më të ngarkuara numri mund të arrijë deri në 30 mijë letra brenda 24 orëve.
Gjatë viteve, në adresën zyrtare të Babagjyshit kanë mbërritur më shumë se 25 milionë letra nga mbi 200 vende të botës.
Edhe në epokën e komunikimit digjital, tradita e shkrimit dhe dërgimit të letrave për Babagjyshin vazhdon të ruajë magjinë e saj, duke mbetur një nga momentet më të veçanta të pritjes së Krishtlindjeve për fëmijët në mbarë botën. /skyweb.al
















