Një studim i ri i publikuar në “Journal of Internal Medicine” sugjeron se konsumimi i rregullt i çajit mund të lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut. Por mënyra e përgatitjes dhe temperatura në të cilën pihet mund të kenë gjithashtu rëndësi.
Një filxhan çaj nuk është vetëm një mënyrë për të nisur ditën apo për të gjetur pak qetësi gjatë saj. Konsumimi i kësaj pijeje është lidhur prej kohësh me përfitime të ndryshme shëndetësore, përfshirë një rrezik më të ulët për sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe demencën.
Tashmë, një studim i ri i publikuar në revistën shkencore “Journal of Internal Medicine” sugjeron se jo vetëm shpeshtësia e konsumimit të çajit, por edhe lloji, fortësia dhe temperatura e tij mund të lidhen me shëndetin kardiovaskular.
Studimi analizoi të dhënat e më shumë se 485 mijë të rriturve në Kinë, të moshave 30 deri në 79 vjeç. Pjesëmarrësit raportuan zakonet e tyre të konsumimit të çajit, duke përfshirë shpeshtësinë, llojin e preferuar, fortësinë e përgatitjes dhe temperaturën në të cilën e pinin.
Gjatë një periudhe mesatare ndjekjeje prej rreth nëntë vitesh, studiuesit evidentuan më shumë se 14 800 raste të sëmundjeve që prekin zemrën dhe enët e gjakut, përfshirë infarktin, goditjet në tru dhe sëmundjet e arterieve periferike.
Sipas rezultateve, personat që konsumonin çaj të paktën tri ditë në javë kishin rreth 11% më pak rrezik për të zhvilluar sëmundje vaskulare, krahasuar me ata që e konsumonin më rrallë.
Për të shpjeguar rezultatet e këtij studimi dhe ndikimin e çajit në shëndetin e zemrës, CNN ka intervistuar eksperten e shëndetit, doktoreshë Leana Wen, mjeke e urgjencës dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin George Washington.
Sipas saj, një nga gjetjet interesante ishte se konsumimi i çajit me fortësi mesatare lidhej me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare. Ndërsa çaji i zi rezultoi i lidhur me rrezik më të ulët për më shumë kategori të sëmundjeve kardiovaskulare sesa çaji jeshil.
Por një nga rezultatet më befasuese lidhej me temperaturën e pijes.
Personat që deklaruan se e konsumonin çajin në temperaturë shumë të lartë, aq sa e përshkruanin si përvëlues, kishin 16% më shumë rrezik për sëmundje vaskulare, krahasuar me ata që nuk konsumonin rregullisht çaj. Në të kundërt, ata që e pinin në temperaturë ambienti ose të nxehtë, por jo përvëluese, shfaqnin një rrezik më të ulët.
Megjithatë, Wen thekson se ky rezultat duhet interpretuar me kujdes. Një nga kufizimet e studimit është se temperatura e çajit u përcaktua përmes përgjigjeve të vetë pjesëmarrësve dhe jo përmes matjeve objektive. Për më tepër, preferenca për të pirë çaj shumë të nxehtë mund të shoqërohet edhe me zakone të tjera të jetesës që ndikojnë në shëndet.
Pse çaji mund të jetë i dobishëm për zemrën?
Sipas doktoreshës Wen, çaji përmban përbërës natyralë të njohur si polifenole, përfshirë flavonoidet, të cilat kanë veti antioksiduese dhe antiinflamatore.
Këta përbërës mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave që veshin pjesën e brendshme të enëve të gjakut, si dhe në përmirësimin e aftësisë së arterieve për t’u relaksuar dhe zgjeruar. Kjo mund të kontribuojë në uljen e presionit të gjakut dhe të ngarkesës mbi zemrën.
Disa studime të mëparshme kanë evidentuar gjithashtu përmirësime modeste në presionin e gjakut, nivelet e kolesterolit dhe tregues të tjerë të shëndetit kardiovaskular te personat që konsumojnë çaj.
Një tjetër përfitim mund të vijë nga zëvendësimi i pijeve me sheqer me çaj pa ëmbëlsues. Sipas Wen, ky ndryshim ndihmon në reduktimin e konsumit të sheqerit të shtuar, duke ndikuar pozitivisht në kontrollin e peshës dhe shëndetin metabolik, faktorë që lidhen edhe me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Megjithatë, rezultatet e studimit tregojnë një lidhje mes konsumimit të çajit dhe rrezikut më të ulët të sëmundjeve, por nuk provojnë se çaji është drejtpërdrejt shkaku i këtij reduktimi.
Konsumimi i rregullt i çajit pa sheqer mund të jetë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, por një nga mesazhet kryesore të studimit është të shmanget pirja e tij në temperatura përvëluese. /skyweb.al















