Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të aplikojnë një sistem të integruar kontrolli në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku qytetarët dhe mjetet e transportit do t’u nënshtrohen procedurave kufitare në një ndalesë të vetme, me synimin për të reduktuar kohën e pritjes.
Sistemi i njohur si “One Stop Shop” u prezantua këtë të diel, 22 nëntor, gjatë një ceremonie ku morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Zbatimi i tij është njoftuar të nisë nga e hëna, 23 nëntor.
Modeli parashikon kryerjen e kontrolleve nga autoritetet e të dyja vendeve në një pikë të përbashkët, duke shmangur ndalesat e veçanta për udhëtarët dhe transportuesit e mallrave.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Rama e cilësoi sistemin një transformim të rëndësishëm për miliona qytetarë që përdorin këtë pikë kufitare.
“Deri tani në këtë doganë ishim ‘kontrollo, kontrollo’. Tani jemi ‘beso, kontrollo’ dhe hapi tjetër është ‘beso, beso’, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle në kufijtë mes nesh”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se synimi është që i njëjti model të zbatohet edhe në pikat e tjera kufitare, duke lehtësuar më tej qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave në rajon.
Rama u ndal gjithashtu te nevoja për të përshpejtuar realizimin e Korridorit VIII, një projekt strategjik që synon përmirësimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes vendeve të rajonit.
Nga ana e tij, kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe rëndësinë e lehtësimit të procedurave kufitare për zhvillimin ekonomik dhe turizmin.
“Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duhet të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare”, deklaroi Mickoski.
Megjithatë, modeli “One Stop Shop” në Qafë Thanë nuk është një nismë krejtësisht e re. Ai ishte përuruar më 31 korrik 2023 nga kryeministri Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Në atë kohë, qeveria shqiptare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kishin njoftuar hyrjen në fuqi të sistemit “Një ndalesë – Një kontroll”, që parashikonte kryerjen e procedurave kufitare dhe doganore në një sportel të përbashkët.
Njoftimi zyrtar për ceremoninë e 22 nëntorit 2026 nuk sqaron konkretisht se çfarë ndryshimesh teknike apo procedurale janë realizuar krahasuar me sistemin e përuruar tre vite më parë.
Sipas autoriteteve të dy vendeve, objektivi mbetet shkurtimi i kohës së pritjes në kufi dhe lehtësimi i lëvizjes së njerëzve, automjeteve dhe mallrave.















