Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra politike ndaj drejtuesve dhe punonjësve të Bashkisë së Tiranës që, sipas tij, janë bërë palë me vendimet e Erion Veliajt. Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, Rama u shpreh se nuk do të tolerohet askush që cenon besimin e qytetarëve dhe përgjegjësitë ndaj familjes politike socialiste.
Duke iu referuar kryebashkiakut Erion Veliaj, Rama tha se shpreson që ai të kuptojë gabimin në raport me të dhe Partinë Socialiste, ndërsa theksoi se personat e tjerë që zbatojnë vendimet e tij do të përballen me gjykim të ashpër politik.
Kreu i qeverisë foli edhe për riorganizimin e Bashkisë së Tiranës, duke shprehur bindjen se socialistët do të fitojnë zgjedhjet e 9 majit 2027. Sipas tij, ky proces nuk do të kufizohet vetëm në përgatitjen për zgjedhjet, por do të përfshijë anëtarët e partisë dhe qytetarët, duke riaktivizuar shtresa dhe komunitete të ndryshme. Një ndër pikat kryesore të këtij angazhimi do të jetë edhe buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm.
Rama paralajmëroi se askush që nuk përmbush detyrimet ndaj qytetarëve dhe Partisë Socialiste nuk do të ketë më vend në këtë forcë politike.
“Kushdo të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat ndaj familjes sonë politike dhe borxhet që i kemi atyre që na kanë besuar, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi politike. Të gjithë janë të nevojshëm, por askush i domosdoshëm”, deklaroi Rama.
Duke u ndalur te situata në Bashkinë e Tiranës, kryeministri tha se izolimi i Veliajt e ka shtyrë atë të krijojë bindje dhe fantazi të gabuara. Ai përmendi shkarkimet e disa punonjësve të bashkisë, të cilat, sipas tij, janë kryer me urdhër të Veliajt përmes drejtuesve të besuar të tij.
Rama i cilësoi këto largime si të pajustifikuara, duke përmendur rastet e punonjësve që nuk kanë shprehur mbështetje në rrjetet sociale për kryebashkiakun.
“Prej vitesh s’u kërkon askush llogari për kë votojnë, jo më t’i largojnë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë. Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?
Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim, Rama theksoi se nuk dëshiron të gjykojë drejtpërdrejt Erion Veliajn për deklaratat dhe veprimet e tij, por përsëriti se pret që kryebashkiaku të reflektojë. Ndërkohë, paralajmëroi se përgjegjësia politike do të jetë e ashpër për çdo person në Bashkinë e Tiranës që zbaton urdhra të tillë.
“S’e gjykoj dot Erjonin për çfarë thotë e çfarë ai bën, uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj (Kreu i policisë bashkiake), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës”, deklaroi Rama. /skyweb.al















