Bisedimet ndërkombëtare për kufizimin e zhvillimit dhe përdorimit të armëve plotësisht autonome, të njohura ndryshe si “robotët vrasës”, kanë përfunduar pa një marrëveshje konkrete.
Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse nuk arritën konsensus për miratimin e një mandati që do të hapte rrugën për negociatat mbi një traktat ndërkombëtar, ligjërisht të detyrueshëm, për ndalimin e këtyre armëve.
Në konferencën e zhvilluar në Gjenevë morën pjesë 128 shtete, palë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Armët Konvencionale. Megjithatë, delegacionet nuk arritën të bien dakord për hapat që duhen ndërmarrë në vijim.
Pothuajse 100 vende kanë mbështetur kërkesën për ndalimin e sistemeve të tilla, të cilat kanë aftësinë të identifikojnë, përzgjedhin dhe godasin objektiva pa një vendim përfundimtar nga njeriu.
Por një grup shtetesh, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Bjellorusia dhe Britania e Madhe, kundërshtuan dhënien e mandatit për nisjen e negociatave.
Rezultati u prit me zhgënjim nga organizatat që kërkojnë ndalimin e armëve autonome. Sipas tyre, përfundimet e konferencës nuk ofrojnë garancitë e nevojshme për të parandaluar zhvillimin dhe përdorimin e pakontrolluar të këtyre sistemeve.
Diskutimet u shoqëruan edhe me mosmarrëveshje për agjendën e konferencës dhe pjesëmarrjen e organizatave ndërkombëtare dhe vëzhguesve. Rusia kundërshtoi agjendën e propozuar, duke kërkuar gjithashtu kufizime për pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe të vëzhguesve të tjerë.
Në përfundim, vendet ranë dakord që ekspertët qeveritarë të vijojnë diskutimet dhe të paraqesin rekomandime deri në vitin 2028. Këto rekomandime do të shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm, përfshirë hartimin e një instrumenti ligjor ndërkombëtar.
Armët plotësisht autonome janë sisteme ushtarake që mund të identifikojnë, përzgjedhin dhe sulmojnë objektiva pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë njerëzore në vendimin përfundimtar për përdorimin e forcës vdekjeprurëse.
Përdorimi i tyre ngre shqetësime të mëdha etike dhe ligjore, veçanërisht për përcaktimin e përgjegjësisë në rastet kur sulmet shkaktojnë viktima civile. Kritikët paralajmërojnë se delegimi i vendimeve për jetë a vdekje te sistemet e inteligjencës artificiale mund të sjellë pasoja të rënda, ndërsa mungesa e një kuadri të qartë ndërkombëtar e vështirëson kontrollin e këtyre teknologjive. /skyweb.al















