Çmimet globale të produkteve ushqimore pritet të rriten me 18% gjatë periudhës 2025-2027, për shkak të vështirësive në furnizim, konflikteve gjeopolitike dhe efekteve të mundshme të fenomenit El Niño, sipas parashikimeve të Bankës Botërore.
Në raportin e publikuar të mërkurën, institucioni parashikon që çmimet e energjisë të rriten me 32% gjatë vitit 2026, kryesisht për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Çmimi mesatar i naftës Brent pritet të arrijë në 91 dollarë për fuçi këtë vit, përpara se të bjerë në 79 dollarë në vitin 2027, nëse konflikti nuk përshkallëzohet.
Në rast të një përkeqësimi të situatës, nafta mund të arrijë në 105 dollarë për fuçi në vitin 2027, duke shkaktuar një rritje shtesë prej 12% të çmimeve të ushqimeve krahasuar me skenarin bazë.
Banka Botërore paralajmëron gjithashtu për rritje të çmimeve të plehrave kimike me 14% dhe të metaleve me 25% gjatë vitit 2026. Institucioni thekson se këto zhvillime mund të rëndojnë sigurinë ushqimore dhe të godasin veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta. /skyweb.al















