Ministria e Financave po shqyrton mundësinë të shtyjë me gjashtë muaj deri në një vit zbatimin e ndryshimit që parashikon përgjysmimin e pragut të regjistrimit të detyrueshëm të bizneseve në skemën e TVSH-së, pas shqetësimeve të ngritura nga kontabilistët dhe audituesit për kostot që do të sjellë kjo masë.
Propozimi është diskutuar gjatë mbledhjes së Këshillit Tatimor, ku janë prezantuar ndryshimet e paketës fiskale 2027, ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë shprehur gatishmërinë për ta marrë në konsideratë.
Sipas draftit të përgatitur nga qeveria, pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH parashikohet të ulet nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, duke përfshirë në këtë skemë rreth 17,516 tatimpagues të rinj.
Por kontabilistët dhe audituesit paralajmërojnë se zbatimi i menjëhershëm i ndryshimit, nga 1 janari 2027, mund të krijojë vështirësi të konsiderueshme për bizneset e vogla, të cilat nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Sipas tyre, përfshirja në TVSH nuk nënkupton vetëm një ndryshim në mënyrën e taksimit, por kërkon përshtatjen e sistemeve të faturimit, procedurave kontabël dhe administrimit të detyrimeve fiskale.
Kjo pritet të shoqërohet me shpenzime shtesë për bizneset, veçanërisht për ato që deri më tani kanë funksionuar jashtë regjimit të detyrueshëm të TVSH-së.
Gjatë diskutimeve në Këshillin Tatimor, përfaqësuesit e profesioneve kontabël kanë argumentuar se ndryshimi ndërhyn drejtpërdrejt në planet financiare dhe mënyrën e organizimit të aktiviteteve tregtare.
“Masa më ndikuese është ulja e pragut të TVSH, që do të krijojë probleme të mëdha, do të ndërhyjë në shumë plane biznese, sepse është e menjëhershme”, është shprehur një prej kontabilistëve.
Një tjetër shqetësim lidhet me raportin ndërmjet kostove që do të përballojnë bizneset dhe përfitimeve që qeveria synon të arrijë përmes formalizimit të ekonomisë.
“Ulja e pragut të TVSH do të sjellë kosto për bizneset, i gjen të papritura bizneset vogla. Është një kosto për ta. Dhe përfitimi për formalizim nuk e justifikon këtë masë”, ka theksuar një tjetër kontabilist.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e kontabilistëve dhe audituesve kanë kërkuar që hyrja në fuqi e detyrimit të ri të shtyhet të paktën me gjashtë muaj, ose deri në një vit, për t’u dhënë kohë bizneseve të përshtaten.
Nga ana e tyre, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave kanë bërë të ditur se propozimi për shtyrjen e afatit do të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të ndryshimeve.
Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim për ndryshimin e datës së zbatimit.
Aktualisht, bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 milionë lekë janë të detyruara të regjistrohen në TVSH, ndërsa subjektet me qarkullim mbi 5 milionë lekë mund të zgjedhin regjistrimin vullnetar, sipas kushteve ligjore.
Nëse propozimi i qeverisë miratohet pa ndryshime, mijëra biznese të vogla do të duhet të përfshihen në skemën e detyrueshme të TVSH-së nga fillimi i vitit 2027. Nëse pranohet kërkesa e kontabilistëve, këtij detyrimi mund t’i shtyhet zbatimi deri në gjashtë muaj ose një vit.
















