Qytetarët që kanë legalizuar banesat e tyre, por nuk kanë përfunduar procedurën e kalimit në pronësi të truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti, mund të aplikojnë online për t’u pajisur me faturën përkatëse të blerjes së tokës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar se shërbimi ofrohet përmes portalit e-Albania dhe aplikimi është pa pagesë, ndërsa për kategori të caktuara qytetarësh parashikohen lehtësime financiare që arrijnë deri në përjashtimin e plotë nga pagesa e truallit.
Sipas njoftimit të Kadastrës, qytetarët duhet të zgjedhin në e-Albania shërbimin “Kërkesë për pajisje me faturat e parcelës ndërtimore”, përmes të cilit mund të kërkojnë lëshimin e faturës për truallin e objektit të legalizuar.
Faturat do t’u dërgohen elektronikisht, të pajisura me vulë digjitale, në seksionin “Dokumentet e mia” të portalit e-Albania.
Kadastra sqaron se procedura ndryshon në varësi të statusit juridik të tokës ku është ndërtuar banesa.
Në rastet kur trualli është në pronësi të shtetit, qytetari pajiset me faturën për blerjen e tij dhe më pas vijon procedurën e pagesës.
Ndërsa kur trualli rezulton në pronësi të personave të tretë, faturat mund të lëshohen pasi Këshilli i Ministrave të ketë miratuar kompensimin e ish-pronarëve.
Një pjesë e rëndësishme e procedurës lidhet me lehtësitë financiare për kategori të caktuara qytetarësh.
Sipas Kadastrës, personat me statusin e invalidit paraplegjik, tetraplegjik dhe personat e verbër mund të përfitojnë deri në 100% përjashtim nga pagesa e truallit, sipas kritereve ligjore.
Gjithashtu, parashikohet ulje 50% për kategori të caktuara familjesh dhe individësh, ndërsa poseduesit e ndërtimeve që përfitojnë ndihmë ekonomike mund të marrin ulje 30%.
Një tjetër lehtësi është zbritja prej 20% për qytetarët që e kryejnë pagesën në lekë brenda 30 ditëve nga njoftimi.
Kjo do të thotë se qytetarët që përmbushin kushtet përkatëse mund të paguajnë më pak për truallin, ndërsa aplikimi fillestar për pajisjen me faturë mbetet falas për të gjithë.
Pas kryerjes së pagesës së faturës së parcelës ndërtimore, qytetari mund të aplikojë për pajisjen me certifikatën e pronësisë së truallit, duke bashkëngjitur mandatet që vërtetojnë pagesat e kryera.
Kadastra thekson se procesi mund të ndiqet online përmes e-Albania, duke shmangur paraqitjen fizike vetëm për marrjen e faturës.
Njoftimi u drejtohet veçanërisht qytetarëve që kanë përfunduar legalizimin e ndërtesës, por ende nuk kanë mbyllur procedurat për truallin, një hap i nevojshëm për regjistrimin përfundimtar të pronësisë mbi tokën.
















