Çmimi i naftës në pikat e karburanteve pritet të ulet me rreth 32 lekë për litër, pas vendimit të qeverisë për të ndryshuar mënyrën e mbledhjes së taksës së qarkullimit. Kjo taksë nuk do të përfshihet më në çmimin e karburantit, por do të paguhet përmes një mekanizmi të ri që lidhet drejtpërdrejt me automjetet.
Ndryshimi u njoftua nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Paketës Fiskale 2027, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën.
Sipas Ramës, heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës do të sjellë një ulje të menjëhershme të çmimit në pompa, sapo masa të hyjë në fuqi.
“Një lajm shumë i pritur, që nuk e sjell dëshira e qeverisë dhe e imja, është heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do të ulim automatikisht çmimin e naftës në pompë me 32 lekë për litër”, deklaroi Rama.
Aktualisht, taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, si për naftën, ashtu edhe për benzinën. Por kjo shumë përfshihet në bazën mbi të cilën llogaritet edhe TVSH-ja.
Për këtë arsye, me normën aktuale të TVSH-së prej 20%, ndikimi i taksës së qarkullimit në çmimin përfundimtar të karburantit arrin në 32.4 lekë për litër.
Për shembull, nëse një litër naftë kushton 180 lekë, heqja e kësaj takse, duke mbajtur të pandryshuar të gjithë përbërësit e tjerë të çmimit, do ta ulte atë në rreth 148 lekë për litër.
Megjithatë, taksa e qarkullimit nuk do të shfuqizohet plotësisht. Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e mbledhjes së saj, duke e zhvendosur nga konsumi i karburantit te pronësia ose përdorimi i automjeteve.
“Ndërkohë, taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim përmes drejtorisë përkatëse”, shpjegoi kryeministri.
Kjo do të thotë se drejtuesit e automjeteve mund të paguajnë më pak për çdo litër karburant, por do të përballen me një detyrim tjetër që lidhet me automjetin.
Ende nuk është bërë e ditur nëse taksa e re do të jetë një shumë fikse vjetore apo do të përllogaritet sipas cilindratës, kategorisë, moshës ose karakteristikave të tjera të automjetit.
Një tjetër ndryshim i njoftuar nga Rama lidhet me automjetet me targa të huaja që hyjnë në Shqipëri, për të cilat qeveria parashikon vendosjen e një takse të re.
“Do të vendosim taksë të re për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai.
Taksa e qarkullimit mbi karburantet u vendos fillimisht në vitin 2011, në nivelin 5 lekë për litër, ndërsa pas rritjeve të njëpasnjëshme arriti në 27 lekë për litër në vitin 2015, nivel që zbatohet aktualisht.
Ndryshimi i propozuar pritet të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e karburanteve, por efekti real financiar për drejtuesit e automjeteve do të varet nga niveli i taksës së re dhe konsumi vjetor i naftës apo benzinës.
















