Sipas sondazhit global të vitit 2026 të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), udhëtarët evropianë janë më të rezervuarit në përdorimin e teknologjive digjitale gjatë udhëtimeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për të dhënat biometrike.
Sondazhi, i bazuar në mbi 10 mijë përgjigje nga 200 vende, tregon se vetëm 70% e evropianëve janë të gatshëm të ndajnë të dhënat biometrike për procedurat në aeroport, kundrejt mesatares globale prej 78%. Gjithashtu, 79% e tyre shprehin interes për përdorimin e pasaportave digjitale, krahasuar me 84% në nivel botëror.
Shqetësimet për privatësinë mbeten të rëndësishme: 59% e të anketuarve druhen nga shkeljet e sigurisë së të dhënave, ndërsa 49% shqetësohen për ndarjen e informacionit personal me organizata të tjera.
Megjithatë, përdorimi i biometrisë po rritet. Rreth 58% e udhëtarëve kanë përdorur të paktën një herë këtë teknologji gjatë 12 muajve të fundit, nga 34% në vitin 2022. Ndërkohë, 49% e të anketuarve kanë përdorur inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve, përfshirë kërkimin e fluturimeve dhe krahasimin e çmimeve.
Një tjetër pengesë mbeten procedurat e imigracionit. Sipas IATA-s, 43% e udhëtarëve globalë janë dekurajuar të vizitojnë një destinacion për shkak të kërkesave të hyrjes, nga 33% në vitin 2025. Për këtë arsye, 86% do të preferonin të dorëzonin informacionin e imigracionit në mënyrë digjitale përpara nisjes.
IATA thekson se pasaportat digjitale, vizat elektronike dhe standardet e përbashkëta ndërkombëtare mund të ndihmojnë në përshpejtimin e procedurave dhe përmirësimin e përvojës së udhëtarëve, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale. /skyweb.al
















