Disa pasagjerë janë ndier keq gjatë një fluturimi të Eurowings nga ishulli grek i Rodosit drejt Dyseldorfit, duke detyruar ekuipazhin të kërkojë përparësi në ulje dhe ndihmë mjekësore në aeroport.
Tre prej tyre janë dërguar në spital për kontrolle të mëtejshme, sipas kompanisë ajrore.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 18 tetor, në fluturimin EW9631. Në avion ndodheshin 212 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi.
Pas njoftimit nga pilotët, në aeroport u mobilizuan ambulanca dhe ekipe zjarrfikëse. Autoritetet aktivizuan protokollin për përballimin e një numri të madh personash që mund të kishin nevojë për ndihmë, pasi fillimisht nuk dihej sa udhëtarë ishin prekur.
Personeli mjekësor, i pajisur me veshje mbrojtëse, hipi në avion pas uljes. Pasagjerët kishin shfaqur shqetësime të forta gastrointestinale, ndërsa disa prej tyre kishin të vjella.
Një udhëtare tregoi se pamja e ambulancave dhe e ekipeve me veshje mbrojtëse ishte shqetësuese. Sipas saj, pasagjerët qëndruan në avion për rreth 90 minuta përpara se të lejoheshin të zbrisnin.
Eurowings konfirmoi se tre udhëtarë morën ndihmë mjekësore në vend dhe më pas shkuan në spital si masë paraprake.
Pjesa tjetër e pasagjerëve vijoi udhëtimin drejt shtëpive.
Mes shkaqeve të dyshuara është norovirusi, në kushtet kur në Rodos janë raportuar raste prej muajit korrik.
Megjithatë, lidhja e këtyre rasteve me situatën në ishull mbetet e pakonfirmuar. Kompania ajrore ka bërë të ditur se shkaku i shqetësimeve po hetohet.















