Bizneset në Shqipëri do të përballen me një detyrim të ri administrativ, i cili parashikon certifikimin dhe verifikimin e përvitshëm të aktivitetit ekonomik që ushtrojnë, ndërsa mosplotësimi i kërkesave për depozitimin e certifikatës mund të sjellë deri në pezullimin automatik të statusit të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Ndryshimet janë miratuar nga qeveria në mbledhjen e djeshme dhe parashikojnë një rol të ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare, e cila do të kryejë identifikimin dhe certifikimin e kodeve NVE të bizneseve.
Kodi NVE përcakton llojin e aktivitetit ekonomik që ushtron një subjekt, si tregtia, ndërtimi, shërbimet, prodhimi apo veprimtari të tjera.
Sipas vendimit, çdo biznes i ri do të duhet të deklarojë aktivitetin gjatë regjistrimit dhe më pas të depozitojë certifikatën përkatëse, të lëshuar nga Dhoma Ekonomike Kombëtare, brenda 30 ditëve kalendarike nga regjistrimi.
Certifikimi nuk do të jetë kusht për marrjen e NIPT-it, por mosdepozitimi i dokumentit brenda afatit do të sjellë pezullimin automatik të statusit të subjektit në regjistrin tregtar, deri në plotësimin e detyrimit.
Ndryshimi më i rëndësishëm është se certifikimi nuk do të jetë një procedurë që kryhet vetëm një herë.
Bizneset do të jenë të detyruara të verifikojnë çdo vit kodin e aktivitetit ekonomik, duke depozituar certifikatën e rinovuar brenda 30 ditëve nga përfundimi i vlefshmërisë së dokumentit të mëparshëm.
Detyrimi shtrihet edhe te bizneset ekzistuese, të cilat nuk janë pajisur ende me certifikatën e Dhomës Ekonomike Kombëtare. Për këto subjekte parashikohet një afat njëvjeçar për plotësimin e detyrimit, që fillon nga momenti kur sistemi të bëhet funksional.
Nëse certifikata nuk depozitohet brenda këtij afati, QKB do ta vendosë automatikisht biznesin në statusin “i pezulluar”, ndërsa aktiviteti administrativ do të rikthehet në status aktiv pas dorëzimit të dokumentit.
Ndryshimet ngrenë ndërkohë edhe çështjen e kostove administrative për bizneset, pasi certifikimi dhe rinovimi i përvitshëm mund të shtojnë procedurat që subjektet duhet të ndjekin për të mbajtur të përditësuar regjistrimin e tyre.
Vendimi nuk përcakton nëse certifikimi do të kryhet kundrejt një tarife dhe, nëse po, sa do të jetë ajo.
Rregullat e reja parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa zbatimi i tyre lidhet me plotësimin e kushteve teknike dhe ndërveprimin e sistemeve elektronike./skyweb.al















