Kur matësi është i dëmtuar ose nuk mund të lexohet, fatura e energjisë elektrike do përllogaritet mbi bazën e konsumit të mëparshëm, për jo më shumë se 3 muaj. Enti Rregullator i Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektmetodologjinë që përcakton mënyrën e përllogaritjes së këtyre faturave dhe korrigjimin e tyre pasi sigurohen të dhënat faktike.
Sipas projektit, faturimi me vlerë referuese do zbatohet kur të dhënat e matjes janë të padisponueshme ose të paarritshme për më shumë se një muaj. Shkaqet përfshijnë dëmtimin e matësit, funksionimin e tij jashtë kushteve teknike ose mungesën e aksesit në të dhënat e matjes.
Për përllogaritjen e konsumit, përparësi do të ketë sasia e energjisë së matur në të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm. Nëse kjo e dhënë mungon, furnizuesi do të përdorë mesataren mujore të konsumit të regjistruar gjatë 12 muajve të fundit. Për kontratat që kanë vetëm nga një deri në 11 muaj me matje faktike, mesatarja do të llogaritet mbi muajt për të cilët disponohen të dhëna.
Ndërsa klientët pa asnjë muaj me të dhëna faktike matjeje propozohet të faturohen me vlerë referuese zero kilovatorë, për jo më shumë se tre muaj radhazi. Kjo nuk përbën përjashtim nga pagesa e konsumit real, pasi faturimi do të korrigjohet kur të dhënat të bëhen të disponueshme.
Nëse konsumi faktik rezulton më i lartë se ai i faturuar, diferenca do t’i ngarkohet klientit në faturën pasardhëse. Në rastin e kundërt, shuma përkatëse do t’i zbritet nga detyrimi. Fatura duhet të pasqyrojë qartë konsumin e përllogaritur më parë, konsumin faktik dhe diferencën e korrigjuar.
Furnizuesit do të raportojnë në ERE çdo katër muaj për faturimet me vlerë referuese dhe korrigjimet e kryera. Dokumenti thekson se ky mekanizëm është i përkohshëm dhe nuk mund të zëvendësojë përgjithmonë faturimin mbi konsumin e matur. /Scan.tv















