Qeveria i ka ngarkuar Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) detyrën e zhvillimit dhe mirëmbajtjes teknike të sistemit elektronik për publikimin e kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private, duke synuar rritjen e transparencës mbi marrëveshjet që shteti shqiptar ka lidhur me kompanitë private.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 21 tetor dhe parashikon riorganizimin e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike-Private, përmes të cilit qytetarët dhe subjektet e interesuara mund të konsultojnë dokumentacionin përkatës.
Në fakt, kontratat e koncesioneve kanë qenë publike edhe më parë, pasi regjistri elektronik është krijuar që në vitin 2016. Megjithatë, qeveria ka vendosur të zgjerojë kategoritë e dokumenteve që duhet të bëhen të aksesueshme dhe të përcaktojë rregulla më të hollësishme për administrimin dhe përditësimin e informacionit.
Sipas vendimit, AKSHI do të jetë përgjegjëse për zhvillimin, mirëmbajtjen teknike dhe sigurinë e regjistrit elektronik, ndërsa administrimi funksional dhe publikimi i informacionit do të mbeten përgjegjësi e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat.
Ndryshimi kryesor lidhet me zgjerimin e informacionit që duhet të përfshihet në regjistër, përtej kontratave fillestare dhe të dhënave të përgjithshme mbi koncesionet.
Kështu, përveç vlerës së investimeve, kohëzgjatjes së kontratave dhe tarifave që kompanitë i paguajnë shtetit, regjistri do të përmbajë edhe studimet e fizibilitetit, garancitë e kontratave, dokumentacionin mbi nënkontraktimet, transferimet e kontratave dhe raportet vjetore të zbatimit.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet publikimit të çdo ndryshimi që mund t’i bëhet një kontrate koncesionare gjatë zbatimit të saj.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi kontratat e koncesioneve mund të ndryshohen ndër vite, duke prekur afatet e shfrytëzimit, detyrimet e kompanive private apo elemente të tjera financiare.
Vendimi parashikon që institucionet shtetërore përgjegjëse të paraqesin dokumentacionin për kontratat e reja brenda 15 ditëve pune nga nënshkrimi, ndërsa ndryshimet kontraktore duhet të raportohen brenda 15 ditëve pune nga hyrja e tyre në fuqi.
Nga ana tjetër, për kontratat ekzistuese do të transferohet dokumentacioni i regjistrit të mëparshëm. Nëse konstatohen mungesa, institucionet përkatëse do të kenë 30 ditë pune për plotësimin e tij pas marrjes së kërkesës.
Për administrimin e informacionit përcaktohen edhe afate të reja. Agjencia përgjegjëse do të verifikojë formalisht dokumentacionin brenda 10 ditëve pune dhe, pas plotësimit të tij, do ta publikojë në regjistër brenda 5 ditëve pune.
Regjistri do të vijojë të jetë publik dhe pa pagesë, megjithëse dokumentet ose pjesët e tyre që mbrohen nga dispozitat ligjore për konfidencialitetin nuk do të bëhen të aksesueshme.
Shpenzimet për zhvillimin dhe mirëmbajtjen teknike të sistemit do të përballohen nga buxheti i AKSHI-t, ndërsa kostot e administrimit funksional nga institucioni përgjegjës për koncesionet.
Vendimi i ri shfuqizon rregullat e vitit 2016 dhe synon krijimin e një sistemi më të plotë informacioni mbi koncesionet, duke mundësuar ndjekjen jo vetëm të kontratave fillestare, por edhe të ndryshimeve dhe ecurisë së tyre.
Megjithatë, efektiviteti i këtyre ndryshimeve do të varet nga përditësimi i dokumentacionit prej institucioneve publike dhe nga shkalla në të cilën kontratat, ndryshimet dhe raportet financiare do të jenë realisht të aksesueshme për publikun. /skyweb.al















