Udhëtimi me avion në vitet ’80 ishte një përvojë krejt tjetër nga ajo që njohim sot. Biletat prej letre, pasagjerët me kostume, ushqimi i shërbyer në pjata porcelani dhe duhani që pihej lirshëm në kabinë ishin pjesë e një industrie ku fluturimi konsiderohej ende një privilegj dhe jo një shërbim masiv transporti.
Katër dekada më parë, rezervimi i një bilete kërkonte një vizitë në agjencinë e udhëtimit ose një telefonatë te kompania ajrore. Nuk kishte aplikacione, karta elektronike imbarkimi apo sisteme që ndryshonin çmimet e biletave në kohë reale.

Kompanitë më të mëdha ajrore kishin zyra në disa prej rrugëve më prestigjioze të botës, ndërsa konkurrenca ishte shumë më e kufizuar dhe tarifat shpesh më të larta.
Megjithatë, pasagjerët përfitonin një fleksibilitet që sot është bërë i rrallë. Në disa linja, marrëveshjet ndërmjet kompanive mundësonin që një udhëtar të përdorte fluturimin e një transportuesi tjetër nëse humbiste avionin e rezervuar.

Edhe udhëtimet ndërkontinentale ishin më të gjata. Avionët e asaj periudhe kishin kufizime më të mëdha autonomie, ndaj shumë itinerare kërkonin ndalesa të ndërmjetme për furnizim me karburant.
Një udhëtim nga Parisi drejt Tokios, për shembull, mund të përfshinte ndalesë në Anchorage të Alaskës, ndërsa fluturimet drejt destinacioneve të tjera aziatike kalonin përmes aeroporteve të Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore.

Për pasagjerët, këto ndalesa nënkuptonin orë shtesë udhëtimi, por edhe mundësinë për të zbritur përkohësisht në vende që përndryshe nuk do t’i vizitonin.
Brenda avionit, ndryshimi ishte edhe më i dukshëm.
Klasa e parë ngjante me një restorant luksoz në ajër. Në disa kompani, pasagjerëve u shërbeheshin havjar, karavidhe, verëra cilësore dhe shampanjë. Ushqimi servirej në pjata porcelani, me thika, pirunë dhe lugë metalike, ndërsa pijet në gota qelqi.

Edhe në klasën ekonomike shërbimi ishte përgjithësisht më bujar se në shumë fluturime të sotme. Ushqimet e ngrohta, pijet dhe përdorimi i enëve të zakonshme të ngrënies ishin pjesë e shërbimit, edhe në linja ku sot pasagjerët duhet të paguajnë veçmas për çdo produkt.
Ulëset në shumë avionë ishin më të buta dhe hapësira për pasagjerët mund të ishte më e madhe, megjithëse standardet ndryshonin sipas kompanisë dhe modelit të avionit.
Ndërkohë, klasa e biznesit ishte ende në zhvillim. Ulëset e saj, përfshirë ato të shërbimit historik “Le Club” të Air France, kishin pak ngjashmëri me kabinat moderne që shndërrohen në shtretër.
Në të njëjtën periudhë, avioni supersonik Concorde lidhte Parisin me Nju Jorkun në një kohë shumë më të shkurtër sesa avionët tradicionalë, duke përfaqësuar kulmin e luksit dhe teknologjisë së aviacionit civil.

Por një prej ndryshimeve më të mëdha lidhej me mënyrën se si pasagjerët kalonin kohën gjatë fluturimit.
Pa ekranet individuale, internetin dhe telefonat inteligjentë, udhëtarët lexonin gazeta, libra ose bisedonin me personat që kishin pranë. Pilotët shpesh u tregonin pasagjerëve qytetet, malet dhe lumenjtë mbi të cilët po fluturonin.
Megjithatë, jo gjithçka ishte më e mirë.
Pirja e duhanit lejohej në shumë fluturime, ndërsa ndarja e kabinës në zona për duhanpirës dhe joduhanpirës nuk arrinte të pengonte përhapjen e tymit.
Në udhëtimet e gjata, stjuardesat pastronin vazhdimisht tavllat e cigareve, ndërsa pasagjerët që nuk pinin duhan detyroheshin të qëndronin për orë të tëra në një ambient me tym.
Sot industria e aviacionit ka ndryshuar rrënjësisht. Liberalizimi i tregut, konkurrenca dhe zhvillimi teknologjik i kanë bërë fluturimet më të përballueshme, më të shpejta dhe më të sigurta për miliona njerëz.

Avionët modernë mund të përshkojnë distanca shumë më të gjata pa ndalesa, ndërsa proceset e rezervimit dhe imbarkimit janë dixhitalizuar.
Por ky transformim ka sjellë edhe një tjetër realitet: më shumë pasagjerë në kabinë, tarifa të veçanta për shërbimet shtesë dhe një përvojë udhëtimi ku komoditeti shpesh varet nga çmimi i biletës.
Nëse në vitet ’80 luksi i fluturimit lidhej edhe me shërbimin dhe kontaktin njerëzor, sot ai përqendrohet gjithnjë e më shumë te kabinat e klasave të larta, ndërsa udhëtimi ekonomik është shndërruar në një produkt të standardizuar për tregun masiv.

Aviacioni modern ka fituar në efikasitet, mundësi udhëtimi dhe siguri, por një pjesë e atmosferës që dikur e bënte fluturimin një përvojë të veçantë tashmë i përket historisë. /skyweb.al
















