Inflacioni në Shqipëri shënoi një rritje të mëtejshme gjatë muajit tetor 2026, duke arritur në 3.5%, niveli më i lartë i regjistruar që nga fillimi i vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura sipas metodologjisë së EUROSTAT për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, çmimet u rritën gjithashtu me 0.8% në raport me muajin shtator.
Faktori kryesor që ndikoi në këtë ecuri mbeten ushqimet dhe pijet joalkoolike. Ky grup regjistroi një rritje vjetore prej 4.4%, duke kontribuar me 1.53 pikë përqindje në inflacionin total. Vetëm gjatë muajit tetor, çmimet e ushqimeve u rritën me 2.1%, duke vijuar të ushtrojnë presion mbi shpenzimet e familjeve shqiptare.
Rritjen më të fortë vjetore e shënoi grupi i argëtimit, sportit dhe kulturës, me 9.8%. Pas tij renditet transporti, ku çmimet u rritën me 6.9%. Ndërkohë, pijet alkoolike dhe duhani patën një shtrenjtim prej 3.8%, shërbimet arsimore prej 3%, ndërsa restorantet dhe akomodimi prej 2%.
Edhe në krahasimin me shtatorin, përveç ushqimeve, rritje u evidentuan te veshjet dhe këpucët me 1.1%, si dhe te mobiliet dhe pajisjet shtëpiake me 0.9%.
Në të kundërt, disa kategori regjistruan ulje çmimesh gjatë tetorit. Shërbimet e restoranteve dhe akomodimit u liruan me 0.5%, transporti me 0.3%, ndërsa shërbimet shëndetësore me 0.1%.
Pavarësisht rritjes së inflacionit në vend, niveli i tij vijon të jetë nën mesataren e Bashkimit Evropian. Në tetor, inflacioni i harmonizuar në BE arriti në 4%, ose 0.5 pikë përqindje më shumë se në Shqipëri. /skyweb.al















