Ligji për investimet strategjike do të vazhdojë të prodhojë efekte edhe pas shfuqizimit të tij. Bizneset që kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik, por nuk kanë marrë ende miratimin, do të mund të vijojnë procedurat sipas skemës së vjetër, duke mbajtur të hapur mundësinë për përfitues të rinj.
Siç raportoi edhe më herët skyweb.al, kjo dispozitë është ruajtur e pandryshuar në projektligjin e ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, edhe pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik.
Nga krahasimi i dokumenteve të kryer nga Skyweb.al rezulton se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka risjellë të njëjtin projektligj dhe të njëjtin relacion shpjegues që kishte publikuar më 21 tetor 2026, pa ndryshuar asnjë nen apo formulim.
SURPRIZË! Qeveria “ringjall’ ligjin për Investimet Strategjike pasi njoftoi shfuqizimin e tij
Konsultimi publik, i cili për ligjin në fjalë u mbyll sot, është një mekanizëm që synon përfshirjen e qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit në shqyrtimin e nismave ligjore, përmes paraqitjes së vërejtjeve, propozimeve dhe diskutimit të alternativave.
Megjithatë, të paktën në dokumentet e risjella nga Ministria, ky proces nuk ka prodhuar asnjë ndryshim në përmbajtjen e projektligjit.
Në këtë mënyrë, projektligji që pritet të vijojë rrugën drejt miratimit mbetet identik me versionin fillestar të tetorit.
Një nga dispozitat më të rëndësishme që është ruajtur pa ndryshime lidhet pikërisht me fatin e investimeve strategjike.
Neni 60 i projektligjit parashikon shfuqizimin e ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i cili prej më shumë se një dekade u ka mundësuar bizneseve përfituese procedura të përshpejtuara dhe masa të veçanta mbështetëse.
Por ndërsa ligji i vjetër do të shfuqizohet formalisht, neni 59 i projektligjit të ri garanton vazhdimësinë e tij për një kategori të gjerë subjektesh.
Konkretisht, dispozita përcakton se subjektet që “kanë përfituar, apo që kanë aplikuar” për statusin e investimit strategjik, përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri, do të vijojnë të mbështeten dhe t’u nënshtrohen procedurave të ligjit nr. 55/2015.
Pikërisht formulimi “apo që kanë aplikuar” është elementi që mban të hapur mundësinë për dhënien e statuseve të reja strategjike edhe pas shfuqizimit të ligjit ekzistues.
Kjo do të thotë se një biznes që ka dorëzuar kërkesën brenda afateve të lejuara, por ende nuk ka marrë një vendim, mund ta përfundojë procesin sipas rregullave të vjetra.
Pra, shfuqizimi i ligjit nuk nënkupton përfundimin e menjëhershëm të skemës për të gjitha subjektet.
Dosjet e mbetura në shqyrtim do të vazhdojnë të trajtohen sipas legjislacionit aktual, edhe kur ligji i ri të ketë hyrë në fuqi.
Kjo dispozitë kishte qenë pjesë e analizës së publikuar nga Skyweb.al që në tetor, kur redaksia evidentoi se qeveria po linte një mundësi ligjore për vazhdimin e trajtimit të aplikimeve ekzistuese. /skyweb.al















