Kompania ajrore gjermane Lufthansa planifikon të shkurtojë 1 mijë vende pune me kohë të plotë në qendrat e saj kryesore në Frankfurt dhe Mynih, pas vështirësive financiare dhe rritjes së kostove operative.
Sipas një letre drejtuar punonjësve, të parë nga agjencia AFP, kompania kryesore e grupit ka regjistruar mesatarisht humbje prej 20 milionë eurosh në muaj gjatë periudhës janar-shtator.
Situata është rënduar nga grevat e pilotëve dhe personelit të kabinës, si dhe rritja e ndjeshme e çmimeve të karburantit për avionët pas nisjes së luftës në Iran.
Plani i ristrukturimit, i nisur në vitin 2024, parashikonte mbi 700 masa për të rritur fitimet me 2,5 miliardë euro deri në vitin 2028. Megjithatë, kompania pranon se masat e ndërmarra deri tani nuk janë më të mjaftueshme për të përballuar situatën.
Shkurtimet e reja prekin rreth 2,5% të afro 40 mijë punonjësve të kompanisë. Ende nuk është e qartë nëse këto vende pune përfshihen në planin e njoftuar më herët nga grupi Lufthansa për eliminimin e 4 mijë vendeve të punës, kryesisht në administratë, deri në vitin 2030. /skyweb.al
















