Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare pësuan një rënie prej më shumë se 6% këtë të hënë, pas sinjaleve për rifillimin e negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke rritur pritshmëritë për një zgjidhje të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të medias amerikane “Axios”, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë iranian të sigurisë kombëtare, Mohsen Rezaei, lidhur me mundësinë e zhvillimit të një raundi të ri bisedimesh. Ky kontakt konsiderohet si komunikimi i nivelit më të lartë mes dy vendeve gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, Teherani ka deklaruar se është i gatshëm të rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve, nëse Uashingtoni pranon t’i japë fund luftës në të gjitha frontet dhe plotëson edhe disa kushte të tjera të vendosura nga pala iraniane.
Një tjetër sinjal për mundësinë e negociatave erdhi nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili bëri të ditur se udhëheqësi suprem i vendit, Mojtaba Khamenei, i ka dhënë qeverisë kompetencat e nevojshme për të zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit.
Zhvillimet në Lindjen e Mesme ndikuan edhe në tregjet financiare. Rënia e çmimeve të naftës dhe gazit ushtroi presion mbi aksionet e kompanive të mëdha energjetike, ndërsa sektorë të tjerë të ekonomisë përfituan nga perspektiva e kostove më të ulëta të karburanteve.
Megjithatë, analistët mbeten të rezervuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në një periudhë të afërt. Arne Lohmann Rasmussen, analist kryesor në Global Risk Management, vlerësoi se sinjalet e administratës Trump mund të jenë pjesë e një strategjie taktike në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Ai theksoi se sulmet ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit vijojnë, duke paralajmëruar se, pavarësisht rënies së fundit, pritshmëritë për çmime relativisht të larta të energjisë mbeten në fuqi. /skyweb.al















