Qeveria po përgatit rregulla të reja për tregtimin e pajisjeve elektronike në Shqipëri, duke vendosur detyrimin që bateritë e tyre të mund të hiqen dhe zëvendësohen lehtësisht nga përdoruesit, pa qenë e nevojshme blerja e një pajisjeje të re.
Ndryshimet parashikohen në projektvendimin “Për bateritë dhe mbetjet e baterive”, të konsultuar nga Skyweb.al, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Çdo subjekt që vendos në treg produkte me bateri portative duhet të sigurojë që ato të jenë të heqshme dhe të zëvendësueshme gjatë gjithë jetëgjatësisë së pajisjes.
Kjo do të thotë se konsumatorët duhet të kenë mundësi të ndërrojnë baterinë kur ajo konsumohet, pa dëmtuar pajisjen dhe pa përdorur mjete të specializuara.
Projektvendimi përcakton se për heqjen e baterive duhet të mjaftojnë mjetet e zakonshme të disponueshme në treg, ndërsa përdorimi i mjeteve të specializuara lejohet nëse ato ofrohen falas bashkë me produktin.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me detyrimin për sigurimin e pjesëve të këmbimit.
Prodhuesit dhe subjektet që vendosin në treg pajisje me bateri portative duhet të garantojnë disponueshmërinë e baterive zëvendësuese për të paktën pesë vite pas hedhjes në treg të njësisë së fundit të modelit përkatës.
Bateritë e këmbimit duhet të ofrohen me çmime të arsyeshme dhe jodiskriminuese, si për konsumatorët, ashtu edhe për profesionistët e pavarur që kryejnë riparime.
Projektvendimi ndalon gjithashtu përdorimin e softuerëve që pengojnë zëvendësimin e baterisë origjinale me një bateri tjetër të përputhshme.
Kjo dispozitë synon të kufizojë praktikat që i detyrojnë konsumatorët të përdorin vetëm pjesët e prodhuesit fillestar, edhe kur në treg ekzistojnë alternativa të përshtatshme.
Subjektet do të duhet të publikojnë edhe udhëzime të qarta për heqjen dhe zëvendësimin e baterive, së bashku me informacionin përkatës të sigurisë.
Rregullat shtrihen edhe te bateritë e mjeteve të lehta elektrike të transportit, për të cilat duhet të garantohet mundësia e zëvendësimit nga profesionistë të pavarur.
Megjithatë, projektvendimi parashikon përjashtime për disa kategori pajisjesh, përfshirë ato të projektuara për përdorim në kushte të veçanta me ujë, pajisje të caktuara mjekësore dhe produkte ku lidhja e pandërprerë me baterinë është e domosdoshme për sigurinë ose integritetin e të dhënave.
Ndryshimet synojnë zgjatjen e jetëgjatësisë së pajisjeve elektronike, uljen e nevojës për zëvendësimin e tyre dhe kufizimin e mbetjeve që krijohen nga bateritë e konsumuara.
Për konsumatorët shqiptarë, rregullat e reja pritet të krijojnë më shumë mundësi riparimi dhe të ulin varësinë nga shërbimet ekskluzive të prodhuesve.
Projektvendimi përfshin gjithashtu kërkesa të reja për grumbullimin dhe riciklimin e baterive të përdorura, si dhe detyrime për importuesit, prodhuesit dhe tregtarët.
Akti është ende në fazën e projektit dhe, pas miratimit, parashikohet të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, duke zëvendësuar vendimin ekzistues të vitit 2012 për bateritë dhe akumulatorët.
















