Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj theksoi se qeveria duhet të ketë plane rezervë për të përballuar devijimet e mundshme nga parashikimet buxhetore.
Sipas saj, në rast të mosrealizimit të të ardhurave, mund të nevojiten masa shtesë dhe korrigjime të shpenzimeve për të respektuar kufirin e deficitit buxhetor.
Një tjetër paralajmërim lidhet me paketën fiskale dhe ndikimin e ndryshimeve të TVSH-së në çmimet e konsumit.
Banka vlerëson se ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i taksave mbi karburantet mund të ulin çmimet, ndërsa rritja e TVSH-së standarde dhe përfshirja e më shumë bizneseve në këtë skemë mund të kenë efekt të kundërt.
Ndikimi përfundimtar do të varet nga shkalla e transmetimit të ndryshimeve fiskale në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Ahmetaj paralajmëroi se ndryshimet e taksave mund të krijojnë efekte më afatgjata në inflacion nëse ndikojnë pritjet e bizneseve, kërkesat për paga dhe vendimmarrjen për çmimet.
Banka e Shqipërisë kërkoi gjithashtu një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, veçanërisht të investimeve publike.
Një tjetër rekomandim lidhet me reformimin e sistemit të pensioneve, i cili përballet me presione nga plakja e popullsisë, emigracioni dhe zvogëlimi i numrit të kontribuuesve.
Institucioni sugjeron përshtatjen graduale të parametrave të skemës publike, zgjerimin e bazës së kontribuuesve dhe zhvillimin e pensioneve plotësuese.
Në përfundim, Banka thekson nevojën për forcimin e administrimit të rreziqeve fiskale, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe kontrollin e borxhit shtetëror. /skyweb.al















