Vendet e OPEC+ kanë vendosur të mbajnë të pandryshuara kuotat e prodhimit të naftës për muajin dhjetor, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon të shkaktojë probleme në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare dhe të mbajë çmimet në nivele të larta.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së zhvilluar online të dielën, më 1 nëntor, me pjesëmarrjen e shtatë vendeve kryesore prodhuese të naftës: Arabisë Saudite, Rusisë, Irakut, Kuvajtit, Algjerisë, Kazakistanit dhe Omanit.
Sipas Reuters, vendimi konfirmon pritshmëritë se ndryshimet e mëtejshme në politikën e prodhimit do të shtyhen për vitin 2027.
Situata në tregjet ndërkombëtare mbetet e tensionuar për shkak të luftës me Iranin, e cila prej muajsh ka penguar eksportet e naftës nga Gjiri Persik.
Megjithëse vendet prodhuese po përpiqen të rikthejnë flukset e eksporteve, shumica e tyre vazhdojnë të prodhojnë sasi ndjeshëm më të ulëta se kuotat e lejuara.
Në shtator, OPEC+ përfundoi heqjen graduale të kufizimeve të prodhimit prej 1.65 milionë fuçish në ditë, të vendosura fillimisht në vitin 2023.
Megjithatë, ndërprerjet e shkaktuara nga konflikti kanë penguar disa vende të Gjirit të shfrytëzojnë plotësisht kapacitetet e tyre të prodhimit.
Ndërkohë, një tjetër paketë kufizimesh, që arrin në rreth 2 milionë fuçi në ditë, mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2026.
Përpara përcaktimit të kuotave të vitit 2027, OPEC+ duhet të përfundojë vlerësimin e kapaciteteve prodhuese të vendeve anëtare, mbi të cilin do të mbështeten vendimet e ardhshme.
Kriza ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmimet ndërkombëtare të naftës.
Të premten, më 30 tetor, nafta Brent u shtrenjtua me 2.4%, duke arritur në 117.64 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që prej fundit të prillit.
Rritja u nxit nga shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit ushtarak dhe rrezikun e ndërprerjeve të mëtejshme të furnizimeve nga Lindja e Mesme.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës transportohet një pjesë e rëndësishme e naftës botërore, mbetet një nga pikat më të ndjeshme të krizës.
Pasiguria mbi sigurinë e transportit dhe kapacitetet reale të eksporteve ka shtuar presionin mbi tregjet energjetike.
Për vendet importuese të naftës, përfshirë Shqipërinë, mbajtja e çmimeve ndërkombëtare në këto nivele mund të përkthehet në kosto më të larta për karburantet dhe transportin.
Vendet e OPEC+ pritet të mblidhen sërish më 29 nëntor, kur në qendër të diskutimeve do të jenë perspektiva e tregut dhe politika e prodhimit për vitin 2027. /skyweb.al















