Apple pritet të publikojë rezultatet financiare të tremujorit të fundit të hënën në mbrëmje, në raportin e parë që nga marrja e detyrës nga drejtori i ri ekzekutiv, John Ternus, i cili pasoi Tim Cook në shtator. Investitorët do të fokusohen te planet për produktet e reja, çmimet, inteligjenca artificiale dhe parashikimet për tremujorin e rëndësishëm të Krishtlindjeve.
Sipas vlerësimeve të analistëve të LSEG, të raportuara nga Reuters, të ardhurat e kompanisë pritet të jenë rritur me afro 11%, duke arritur në 113.39 miliardë dollarë, ndërsa fitimi neto parashikohet të jetë rritur me rreth 6%, në 29.04 miliardë dollarë.
Të ardhurat nga shitjet e iPhone-ve parashikohet të rriten me rreth 15%, në 56.54 miliardë dollarë, një ritëm më i ngadaltë krahasuar me rritjen prej afro 22% të tremujorit të mëparshëm. Ndërkohë, të ardhurat nga shërbimet pritet të rriten me gati 10%, në 31.56 miliardë dollarë, ritmi më i ulët në më shumë se tre vjet.
Një nga çështjet kryesore që do të ndjekin investitorët është ecuria e telefonit të ri me ekran të palosshëm, iPhone Duo, i cili doli në shitje më 23 tetor. Meqenëse pajisja u lançua pas periudhës që mbulojnë rezultatet financiare të së hënës, shitjet e saj do të ndikojnë në tremujorin e Krishtlindjeve. Çmimi fillestar i telefonit në SHBA është 1,999 dollarë.
Analistët e AJ Bell vlerësojnë se reagimi i tregut do të varet kryesisht nga parashikimet e kompanisë për tremujorin e ardhshëm, pasi rezultatet aktuale përfshijnë vetëm nëntë ditë shitjesh të iPhone 18 Pro dhe asnjë të ardhur nga iPhone Duo.
Investitorët pritet të kërkojnë gjithashtu informacion mbi shitjet e modelit të ri, pas raportimeve të disa blerësve për çarje dhe vija në pjesën qendrore të palosjes së ekranit të brendshëm. Apple ka ofruar zëvendësimin e pajisjeve të prekura.
Një tjetër çështje e rëndësishme është rritja e kostove të çipave të memories dhe mundësia e shtrenjtimit të mëtejshëm të produkteve. Në qershor, Tim Cook paralajmëroi se kompania nuk mund t’i përballonte më e vetme këto rritje dhe se do të duhej të rriste çmimet e disa produkteve.
Në atë kohë, TechInsights vlerësoi se komponentët e memories dhe hapësirës së ruajtjes në iPhone 18 Pro mund t’i kushtonin Apple rreth 196 dollarë, nga afërsisht 52 dollarë për iPhone 17 Pro, duke ushtruar presion të konsiderueshëm mbi marzhet e fitimit.
Vëmendje e veçantë pritet t’u kushtohet edhe deklaratave të Ternus për strategjinë e kompanisë në fushën e inteligjencës artificiale. Investitorët kërkojnë të kuptojnë se si Apple synon ta integrojë IA-në në produktet dhe shërbimet e saj, veçanërisht në një kohë kur ritmi i rritjes së të ardhurave nga shërbimet po ngadalësohet.
Ndryshe nga disa prej rivalëve të saj, Apple ka mbajtur një qasje më të përmbajtur ndaj shpenzimeve për inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën përkatëse.
Publikimi i rezultateve vjen pasi Apple rimori të premten pozicionin e kompanisë më të vlefshme të listuar në bursë në botë, duke kaluar Nvidia-n. Kapitalizimi i saj në treg arriti në 5.03 trilionë dollarë.
Sipas analistëve të AJ Bell, duke qenë se aksionet e Apple po tregtohen pranë niveleve rekord, investitorët nuk do të kënaqen vetëm me rezultate financiare më të mira se pritshmëritë, por do të kërkojnë edhe sinjale konkrete për rritjen e ardhshme të kompanisë. /skyweb.al















