Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një plan të ri transformimi për administratën publike, ku në fokus do të jetë vlerësimi i meritës, aftësive profesionale dhe performancës së punonjësve në raport me shërbimin ndaj qytetarëve.
Gjatë një deklarate për mediat, më 2 nëntor, së bashku me ministren për Administratën Publike, Adea Pirdeni, Rama foli për nevojën e krijimit të një administrate të aftë dhe të përgatitur për standardet e Bashkimit Europian.
Në kuadër të këtij plani, vëmendje merr edhe ideja e një provimi kombëtar për administratën, si një mekanizëm për të matur nivelin e përgatitjes dhe aftësive të punonjësve, duke vendosur meritën dhe profesionalizmin në qendër të vlerësimit.
Kryeministri pranoi se në fillim kishte pasur rezerva për kapacitetet e administratës shqiptare, veçanërisht për përballimin e procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Megjithatë, sipas tij, puna e deritanishme ka treguar se brenda administratës ka profesionistë me aftësi të jashtëzakonshme.
Rama theksoi se këtë potencial e ka konfirmuar edhe Brukseli, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të ndërtojë një administratë të denjë për një vend anëtar të BE-së.
“Është konfirmuar nga Brukseli se administrata shqiptare ka njerëz që përballen me komisionerët e BE-së me dinjitet. Ka njerëz që janë të përkushtuar ndaj Shqipërisë europiane. Është një potencial i tërë profesional, që ekziston brenda vendit dhe ne duhet ta vlerësojmë me shumë kujdes”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, objektivi nuk është thjesht identifikimi i punonjësve teknikë, por formësimi i një administrate moderne, profesionale dhe të përgatitur për përgjegjësitë që do të sjellë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
















