nga Roden Hoxha
Inteligjenca artificiale mund t’i kursejë gazetarit orë pune dhe t’i kushtojë publikut të vërtetën. Në redaksitë shqiptare, premtimi për më shumë lajme me më pak shpenzime vjen me një pyetje që asnjë program nuk e zgjidh: kush mban përgjegjësi kur makina shpik dhe media publikon? Ndërsa legjislacioni merr formë tepër ngadalë në një treg kaotik, zgjedhja është konkrete: teknologji mund tu japë gazetarëve kohë për të hulumtuar, ose prodhim më të shpejtë të informacionit të pakontrolluar.
Një program mund të përmbledhë një dosje tenderi përpara se gazetari të ketë mbaruar kafenë. Mund të nxjerrë emra, të krahasojë shifra dhe të sugjerojë pyetje. Mund edhe të shpikë një lidhje që dokumentet nuk e provojnë. Për gazetarinë shqiptare, premtimi dhe rreziku i inteligjencës artificiale takohen pikërisht këtu: te shpejtësia me të cilën një përgjigje bindëse mund të ngatërrohet me një përgjigje të saktë.
Debati shpesh nis me pyetjen nëse makinat do t’i zëvendësojnë gazetarët. Për redaksitë shqiptare, një pyetje më e dobishme është se çfarë do të bëjnë gazetarët me kohën që makinat u kursejnë. Nëse ajo përdoret për verifikim, intervista dhe investigim, teknologjia mund ta përmirësojë gazetarinë. Nëse shndërrohet vetëm në kuota më të larta publikimi, redaksia do të prodhojë më shumë tekst, pa prodhuar domosdoshmërisht më shumë informacion.
Përfitimet janë të prekshme. Transkriptimi i intervistave, përkthimi paraprak, kërkimi në arkiva dhe përpunimi i dokumenteve mund të ulin koston e punëve që konsumojnë orë. Një redaksi mund të kontrollojë më shumë vendime bashkiake; një ekip investigativ mund të shqyrtojë më shumë kontrata. Por sistemi që gjen një emër në dokument nuk ka vërtetuar konflikt interesi. Ky hap kërkon ende gazetarin.
Edhe termi “inteligjencë artificiale” fsheh dallime të rëndësishme. Një mjet që korrigjon drejtshkrimin nuk paraqet të njëjtin rrezik me një program që krijon zërin e një politikani. Një algoritëm që rekomandon lajme ndikon ndryshe nga një chatbot që përgjigjet në emër të redaksisë. Siç vëren CNTI, paqartësia mbi përkufizimet e vështirëson hartimin e politikave. Rregullat duhet të ndjekin përdorimin dhe pasojat, jo thjesht emrin e teknologjisë.
Në Shqipëri, adoptimi duket se po zhvillohet edhe përpara institucionalizimit. Një studim i Ramadan Çipurit dhe Iris Luarasit, botuar më 2026, mbështetet në një anketë me 236 gazetarë, 23 intervista dhe një fokusgrup. Autorët e përshkruajnë përdorimin si ende të kufizuar dhe kryesisht individual dhe njëkohësisht një problem themelor: gazetari mund të ketë zgjedhur mjetin përpara se redaksia të ketë vendosur çfarë lejohet të hedhë në të për të përpunuar.
Megjithatë, Shqipëria nuk nis nga mungesa e rregullave. Kodi i Etikës së Gazetarit, i përditësuar më 2025, përmban një dispozitë të posaçme për IA-në. Ajo kërkon transparencë, mbikëqyrje njerëzore dhe përgjegjësi editoriale. Instituti Shqiptar i Medias ka publikuar edhe udhëzime të veçanta për përdorimin etik të teknologjisë. Baza profesionale ekziston; mbetet për t’u provuar sa redaksi e kanë kthyer atë në praktikë të përditshme.
Megjithatë, kodi nuk tregon nëse redaksia kontrollon citimet e prodhuara nga programi, nëse ndalon ngarkimin e dokumenteve konfidenciale apo nëse njofton publikun për një zë sintetik. Vetërregullimi fiton peshë kur shkelja sjell një korrigjim të dukshëm, një vendim të arsyetuar dhe ndryshim procedure. Pa këto, standardi rrezikon të mbetet dokumenti më pak i përdorur në redaksi.
Përvoja evropiane ofron një pikënisje, por kërkon lexim të kujdesshëm. Neni 50 i Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale nuk kërkon që çdo artikull i ndihmuar nga IA të mbajë automatikisht etiketë. Për tekstet që informojnë publikun mbi çështje me interes publik parashikohet një përjashtim kur ka shqyrtim njerëzor ose kontroll editorial dhe një person fizik apo juridik mban përgjegjësinë editoriale.
Përjashtimi nuk e bën kontrollin njerëzor një formalitet të dobishëm për të shmangur transparencën. Në praktikë, redaktori duhet të ketë kontrolluar provat, jo vetëm rrjedhshmërinë e fjalive. Përmbajtjet audiovizive që përbëjnë “deepfake” trajtohen veçmas; përjashtimi për tekstin e shqyrtuar editorial nuk është leje e përgjithshme për të publikuar imazhe ose zëra të fabrikuar pa njoftim. Ligji vendos kufirin minimal. Etika mund të kërkojë më shumë!
Redaksitë ndërkombëtare e bëjnë këtë dallim veçanërisht të qartë te fotografia. Associated Press lejon forma të caktuara ndihme në kërkim, transkriptim dhe përkthim, por ndalon përdorimin gjenerues për krijimin ose ndryshimin e fotografive të lajmit. Reuters kërkon verifikim të pavarur të pretendimeve dhe ndalon krijimin ose përmirësimin gjenerues të imazheve të gazetarisë vizuale. Një fotografi lajmi premton se diçka ka ndodhur përpara objektivit.
Për mediat shqiptare, ky standard do të kishte pasoja konkrete. Zgjerimi me IA i një fotografie proteste për t’iu përshtatur formatit të Instagramit mund të shtojë njerëz apo objekte që nuk kanë qenë aty. “Pastrimi” i një regjistrimi mund të ndryshojë atë që duket se është thënë. Origjinali duhet ruajtur; çdo ndërhyrje duhet vlerësuar sipas ndikimit mbi provën, jo sipas bukurisë së rezultatit.
Megjithatë, vetërregullimi nuk është njëtrajtshëm as në Evropë. Këshilli Gjerman i Shtypit e lidh përgjegjësinë me redaksinë, pavarësisht mënyrës së prodhimit, pa kërkuar në qëndrimin e tij të publikuar etiketim të përgjithshëm të teksteve të krijuara me IA. Imazhet sintetike duhet të identifikohen si ilustrime. Mësimi për Shqipërinë është të përcaktojë qartë detyrimet, në vend që të importojë një etiketë dhe ta quajë problemin të zgjidhur.
Por përtej dallimeve mes kodeve, redaksitë evropiane përballen me një vështirësi të përbashkët: si t’i zbatojnë standardet nën presionin e publikimit, me personel të kufizuar dhe teknologji që ndryshon vazhdimisht. Një studim i Reuters Institute, botuar më 2025, gjeti se 56% e gazetarëve britanikë të anketuar përdornin IA-në profesionalisht të paktën një herë në javë, por vetëm 32% raportonin se redaksia u ofronte trajnim.
Në Holandë, intervistat me profesionistë të De Telegraaf, de Volkskrant, NOS dhe RTL Nederland evidentuan pengesa në shkëmbimin e njohurive dhe raste kur përgjegjësia për përdorimin etik i delegohej ekipit teknik ose juridik. Ndërkohë, ish-drejtuesja për IA-në e përgjegjshme në transmetuesin publik finlandez Yle ka përshkruar vështirësinë e shtimit të këtyre detyrave mbi redaktorë tashmë të mbingarkuar. Një përmbledhje mund të prodhohet në sekonda, por kontrolli nëse ka shndërruar një dyshim në akuzë ose një akuzë në fakt kërkon kohë dhe njohuri.
As kursimi financiar nuk është i garantuar: në raportin e EBU-së për vitin 2025, drejtuesja e SVT-së, transmetuesit publik suedez, raportonte përmirësim të efikasitetit dhe krijimtarisë individuale, por ende jo kursime financiare. Për redaksitë shqiptare, rreziku është që koha e fituar nga automatizimi të përkthehet menjëherë në kërkesa për më shumë publikime, përpara se të llogaritet puna shtesë për t’i verifikuar.
Zbatimi i Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale i shton kësaj barre edhe detyrime që kërkojnë vendime konkrete editoriale dhe teknike. Komisioni Evropian sqaron se kontrolli drejtshkrimor nuk mjafton për shqyrtimin njerëzor apo kontrollin editorial që mundëson përjashtimin e disa teksteve nga etiketimi. Por edhe etiketimi kërkon gjykim: gjatë konsultimit për udhëzimet, EBU-ja dhe shoqata transmetuesish paralajmëruan se paralajmërimet tepër të përhapura mund të humbasin kuptimin për publikun.
Përtej etiketës qëndron varësia nga furnitorët. Një studim i Universitetit të Amsterdamit, mbështetur në 12 intervista dhe analizën e kushteve të 16 shërbimeve, shqyrtoi vështirësitë e mediave për të negociuar mbrojtje kontraktuale. Hedhja në rrjet i një interviste konfidenciale për transkriptim, për shembull, kërkon të dihet kush e ruan dhe nëse mund ta ripërdorë. Edhe burimet e cituara duhen hapur e kontrolluar: në testimin BBC–EBU të vitit 2025, 31% e përgjigjeve të asistentëve të testuar kishin probleme serioze me burimet.
Për redaksitë shqiptare, këto përvoja do të kërkojnë më shumë se një deklaratë parimesh: mjete të miratuara, mbrojtje të burimeve, përgjegjës të identifikueshëm dhe kohë reale për kontroll. Përndryshe, media mban përgjegjësinë për një proces që nuk e kontrollon. Publiku duhet të kuptojë si është ushtruar ky kontroll: çfarë pune i është besuar programit dhe çfarë ka verifikuar redaksia përpara publikimit.
Etiketat vlejnë kur shpjegojnë. “Përkthyer me ndihmën e IA-së dhe kontrolluar nga redaksia” tregon një proces. “Përmbajtje me IA” thotë shumë pak. Për një ilustrim sintetik, publiku duhet të kuptojë se nuk po sheh një ngjarje reale. Për një investigim, shpjegimi duhet të tregojë çfarë përpunoi programi dhe çfarë verifikuan gazetarët. Transparenca që nuk ndihmon lexuesin të gjykojë mund të përfundojë si dekor destruktiv.
Një pjesë e rrezikut lind përpara publikimit. Ngarkimi i një dosjeje në një shërbim të jashtëm mund të ekspozojë të dhëna personale ose identitetin e një burimi. Ligji shqiptar 124/2024 për mbrojtjen e të dhënave personale parashikon përjashtime të kushtëzuara për gazetarinë. Ato nuk duhen lexuar si autorizim i pakufizuar për çdo përpunim që kryhet gjatë përgatitjes së një artikulli.
Si pasojë, redaksitë duhet të dinë ku ruhen materialet, kush i përdor dhe nëse shërbejnë për trajnimin e modeleve. Një abonim me pagesë nuk e zgjidh vetvetiu këtë çështje. Dokumentet publike, materialet e papublikuara dhe informacioni nga burime konfidenciale kërkojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Këto vendime nuk mund t’i lihen vetëm kujdesit individual të reporterit, sidomos kur presioni për të publikuar është i vazhdueshëm.
Kuadri ligjor shqiptar ndërkohë po lëviz. Në maj 2026 u hap konsultimi për projektligjin “Për Inteligjencën Artificiale”. Në tetor, Presidenti shpalli ligjin 93/2026 “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”. Megjithatë, këto janë vetëm hapa fillestarë në një terren I cili po merr zhvillim të vrullshëm dhe shpeshherë kaotik në kurriz të publikut të gjerë.
Legjislacioni i ardhshëm duhet të sqarojë përgjegjësitë e zhvilluesve dhe përdoruesve, kompetencat mbikëqyrëse dhe rrugët e ankimit. Duhet gjithashtu të shmangë një tundim të njohur: përdorimin e mbrojtjes nga manipulimi si arsye për kontroll editorial. Përkufizime të mjegullta të “informacionit të rremë”, leje paraprake ose kërkesa që zbulojnë burimet do të mund ta bënin gazetarinë më të cenueshme ndaj pushtetit.
Pavarësia e mbikëqyrjes është po aq e rëndësishme sa përmbajtja e ligjit. Institucioni që zhvillon ose blen sisteme nuk duhet të kontrollojë pa garanci të forta edhe ligjshmërinë e përdorimit të tyre. AMA, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe mekanizmat vetërregullues kanë role të ndryshme. Një qytetar i dëmtuar nga përmbajtja sintetike duhet të kuptojë ku ankohet dhe çfarë zgjidhjeje mund të marrë.
Ekziston edhe një llogari ekonomike. Mediat janë njëkohësisht blerëse mjetesh dhe prodhuese materiali që ushqen sistemet e IA-së. Akti evropian u kërkon ofruesve të modeleve me qëllim të përgjithshëm politika për respektimin e së drejtës së autorit dhe përmbledhje të përmbajtjes së trajnimit. Kjo nuk garanton automatikisht pagesë për çdo botues. Redaksitë shqiptare duhet të kuptojnë çfarë të drejtash japin dhe çfarë mund të negociojnë së bashku.
Hapi i parë nuk kërkon pritjen e një ligji. Çdo redaksi mund të caktojë një përgjegjës, të miratojë mjetet e lejueshme, të ndalojë fabrikimin e informacionit dhe të përcaktojë si kontrollohen rezultatet. Rregullat duhet të vlejnë edhe për bashkëpunëtorët e jashtëm. Rrjet mediatik ABC në Australi e përfshin këtë përgjegjësi në udhëzimet e saj: materiali i porositur, tashmë edhe nga platformat e IA si pjesë e skemave të tyre të pasurimit të përmbajtjes, nuk duhet të bëhet një rrugë anashkalimi e standardeve.
Më pas duhet matur rezultati. Sa kohë u kursye? Sa gabime u kapën? Sa materiale kërkuan korrigjim? Nëse pronari apo administratori numëron vetëm artikujt shtesë, ndërsa redaktori nuk ka kohë për kontroll, teknologjia do të shpërblejë sasinë dhe shpërbëjë cilësinë. Financimi për inovacionin duhet të mbështesë edhe verifikimin dhe aftësitë profesionale, përndryshe, redaksitë do të blejnë kapacitet për të prodhuar më shpejt atë që nuk arrijnë ta kontrollojnë.
Për mediat shqiptare, vlera e inteligjencës artificiale do të matet me atë që zgjedhin të bëjnë me kohën dhe burimet që ajo kursen. Mund t’i përdorin për të shqyrtuar më shumë dokumente, për të kontrolluar më mirë faktet dhe për të ndjekur histori që sot mbeten të paraportuara. Mund edhe ta shpenzojnë këtë përfitim në garën për klikime, shikime dhe numër publikimesh, duke pakësuar gazetarët dhe kohën për verifikim. Në këtë garë, treguesit e audiencës mund të rriten ndërsa gazetaria zbrazet nga përmbajtja. Rreziku është që redaksitë ta quajnë sukses pikërisht çastin kur prodhojnë më shumë dhe i shërbejnë publikut më pak.
Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi Evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.
















