Prodhimi i energjisë elektrike për nevoja vetjake po njeh një zgjerim të shpejtë në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë familje, biznese dhe institucione po zgjedhin të instalojnë panele diellore, duke u kthyer nga konsumatorë të thjeshtë në prodhues të energjisë. Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, aktualisht në vend numërohen mbi 4 600 konsumatorë vetëprodhues, me një kapacitet të instaluar prej rreth 320 megavatësh.
Ky zhvillim nisi të marrë hov në vitet 2018-2019, pas lehtësimit të procedurave për lidhjen e impianteve vetëprodhuese me rrjetin elektrik. Sot, pjesa më e madhe e tyre i përket sektorit privat, ndërsa një numër i konsiderueshëm janë edhe institucione publike. Përqendrimi më i madh është në Tiranë dhe Durrës, ku zhvillimi urban dhe ekonomik ka nxitur investimet në energjinë diellore.
“Duke nisur me vitin 2018-2019, ku nëpërmjet udhëzimit numër 3 u lehtësua lidhja e impianteve vetëprodhuese deri në 500 kilovat me rrjetin e shpërndarjes. Sot që flasim, aktualisht jemi te 41 mijë e 629 konsumatorë vetëprodhues, me një fuqi prej 320 megavatësh”, tha Xheni Kazaferi, përfaqësues i OSSH
Por rritja e numrit të prodhuesve të energjisë sjell edhe sfida për rrjetin elektrik. Ai duhet të përshtatet për të përballuar jo vetëm furnizimin e konsumatorëve, por edhe energjinë që këta të fundit prodhojnë dhe hedhin në rrjet. Për këtë arsye, OSSH parashikon investime në infrastrukturë, por edhe monitorim dhe analiza teknike për administrimin e flukseve të energjisë.
“Investimi është një instrument i rëndësishëm i kësaj strategjie, por nuk është i vetmi. Kjo do të thotë analiza teknike, monitorim i rrjetit dhe administrim i flukseve të energjisë” theksoi Kazaferi.
Zgjerimi i prodhimit të energjisë nga vetë konsumatorët pritet të vijojë edhe në vitet e ardhshme, duke e kthyer përshtatjen e rrjetit elektrik në një nga sfidat kryesore për sistemin e shpërndarjes. /tvscan.al
















